Klodian Braho raporton në KLP: Korrupsioni në nivele të larta mbetet shqetësues

Kreu i SPAK, Klodian Braho, gjatë raportimit në KLP, deklaroi se institucioni që ai drejton ka proceduar 24 zyrtarë të lartë për çështje që lidhen me korrupsionin. Sipas tij, fenomeni i korrupsionit në nivelet e larta mbetet ende shqetësues.

Braho tha se gjatë vitit 2025 është shënuar një rritje e ndjeshme e aktivitetit hetimor dhe e vendimeve gjyqësore. Ai theksoi se janë marrë 59 vendime nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe një vendim nga Gjykata e Lartë.

Sa i përket masave të sigurisë, ai nënvizoi se është ndjekur një politikë institucionale që e konsideron arrestin me burg si masë të fundit. Për vitin 2025, 15 persona janë arrestuar për korrupsion, ndërsa 5 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Në total, SPAK ka regjistruar një rritje prej 18% të rasteve të reja për korrupsion. Gjatë kësaj periudhe janë çuar në gjykatë 6 procedime të reja që përfshijnë zyrtarë të lartë, ndërsa janë zhvilluar edhe 6 hetime të tjera.

Një tjetër element i rëndësishëm është sekuestrimi i pasurive. Sipas Brahos, për vitin 2025 janë sekuestruar pasuri në vlerën 1.1 milion euro nga zyrtarë të lartë, ndërsa për vitin aktual kjo vlerë arrin në rreth 100 mijë euro.

“Totali i vendimeve në gjykata është rritur ndjeshëm, duke reflektuar stabilizm në çështjet e përfunduara. Gjatë 2025 numri i rekurseve të paraqitura në Gjykatën e Lartë është ulur ndjeshëm për çështjet e hetuara nga SPAK. 59 vendime janë marrë nga GJKKO dhe një nga Gjykata e Lartë. Për masat e sigurimit, politika institucionale është marrë në konsideratë duke e parë arrestin me burg si masa e fundit. Për 2025 shumica e veprave lidhen me vepra të korrupsionit dhe pjesa tjetër për kriminalitet. Për korrupsion është zbatuar masa për 15 persona të arrestuar dhe 5 të tjerë për mungesë. Lufta kundër korrupsionit, dhe atë në nivelin te lartë, ngelet në nivel shqetësues. Në këtë drejtim SPAK ka shënuar rritje të 18 % të rasteve të reja për çështje korrupsioni. Aktiviteti i shtuar reflektohet në çuarjen në gjykatë të
6 procedime të reja për zyrtarët e lartë dhe 6 hetime. 18 persona janë dërguar në gjykatë për gjykim, 10 janë dënuar me vendim të formës së prerë. Vlera e pasurive të sekuestruara për zyrtarët e lartë është 1.1 mln euro për 2025-ën, ndërsa për këtë vit 100 mijë euro.”, tha ai.