Ata njohin skutat më të errëta të krimit dhe janë të gatshëm t’i rrëfejnë ato. Njohin edhe fytyrën e “fantazmave” që garantojnë shuma marramendëse për të kryer ekzekutime nga më drithërueset, të denja për filma e seriale.
Bashkëpunëtorët e drejtësisë janë mekanizmi ligjor që po u vjen në ndihmë organeve të drejtësisë për të gjetur dhe për të vendosur në bankën e të akuzuarve personat që kanë urdhëruar e porositur një sërë ngjarjesh kriminale që kanë tronditur Shqipërinë.
Pasi ndërpreu bashkëpunimin me Henrik Hoxhajn, një nga të penduarit e drejtësisë, burimet thonë për Media Ditarin se Prokuroria Speciale ka vendosur t’i japë një statusin një tjetër personi që ka shprehur dëshirën për të rrëfyer krimet ku ka qenë pjesëmarrës. Ai është Skerdi Tase. Ka qenë Nuredin Dumani, një nga atentatorët më të paguar nga krerë të bandave kriminale, që gëzon po ashtu statusin e dëshmitarit të drejtësisë, ai që hodhi dritë mbi një sërë ngjarjesh të rënda të dekadës së fundit, ku i implikuar ishte si Skerdi Tase ashtu edhe Henrik Hoxhaj.
Por “pendesa” e këtij të fundit nuk zgjati shumë. Një javë më parë, pas marrëveshjes së lidhur mes tij dhe organit të posaçëm të akuzës, SPAK i kërkoi gjykatës “zhveshjen” e tij nga statusi i bashkëpunëtorit, pasi disa nga dëshmitë e tij kanë rezultuar kontradiktore, madje burimet thonë se ai nuk i ka rrëfyer të gjitha krimet për të cilat ka patur dijeni apo edhe ka marrë pjesë.
Në bashkëpunim me Nuredin Dumanin, Henrik Hoxhaj ka rrëfyer për plot 18 krime të rënda, atentate mafioze dhe përgatitje për ekzekutime që kanë rezultuar të passuksesshme. Me rrëfimet e tyre ata çuan në prerjen e 32 fletë-arresteve, një nga operacionet më të bujshme të Prokurorisë së Posaçme, i njohur si “Plumbi i Artë” në maj të vitit të kaluar. Jo më kot operacioni mori këtë emër, pasi erdhi fill pas arrestimit të Nuredin Dumanit, mbrëmjen e 30 marsit, kur të shumëkërkuarit iu bë atentat dhe një plumb të vetëm mbeti në shpinën e tij. Dumani mundi të shpëtojë, për të fundosur më pas disa nga shokët e tij të dikurshëm në krim apo edhe rivalët.
Te 32 urdhër-arrestet vlen të përmenden disa nga emrat më të dëgjuar dhe më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, nga Talo Çela, Suel Çela, Ervis Martinaj, Florenc Çapja, deri te Alban Bengasi, avokati që pagoi grupet kriminale që t’i hidhnin në erë makinën e ish-bashkëshortes së tij, e që njëherësh kishte manipuluar provat në favor të të gjithë të sipërpërmendurve, tashmë të shpallur në kërkim ndërkombëtar pas operacionit.
Nuredin Dumani rrëfeu vrasjen e Emiljano Ramazanit, që u bë nga dora e Skerdi Tases, me ndihmën e Henrik Hoxhajt dhe porosi të Erjon Alibejt. Së fundmi, edhe Erjon Alibej, vëllai i Endrit Alibejt, i cili u ekzekutua në vitin 2013, e që së bashku kanë drejtuar një bandë transnacionale të kokainës, ka “hapur gojën” për akuzën duke rrëfyer me emra, porositës, ekzekutorë e shoferë të atentateve.
Por kush nisi sagën e penditove?
I pari që i dorëzoi drejtësisë shokët e dikurshëm të bandës, ishte Petrit Lici. “Zbërthimi” i tij për prokurorinë do çonte pas hekurave një nga njerëzit më të rrezikshëm në Shqipëri, Alfred Shkurtin, i njohur si Aldo Bare, krijuesi i një ndër organizatave kriminale më gjakatare në vend. Banda e Lushnjës terrorizoi nga ’97 deri në ’99 qytetin, ndërsa kryesuesi i saj i ka marrë jetën 15 personave, mes të cilëve Artur Dajës, kundërshtarit të tij më të fortë, të cilin pasi e ekzekutoi, i preu kokën për ta bërë shembull të pushtetit të tij kriminal.
Nga ana e tij Lici, përmes bashkëpunimit me drejtësinë përfitoi ulje të dënimit, me vetëm 7 vjet heqje lirie.
Adriatik Coli, anëtari i Bandës së Durrësit “tradhëtoi” bashkëpunëtorët e tij të dikurshëm kur ra në grepin e drejtësisë në vitin 2006 dhe përmes thënieve të tij, “hapi” Kutinë e Pandorës për të burgosur edhe kreun e organizatës kriminale ku shërbente vetë, Lulzim Berishën. Ky i fundit është akuzuar për një seri vrasjesh, për prositucion dhe trafik droge. Më pas Berisha u lirua nga Gjykata e Apelit të Durrësit në 2016, e që nga ai moment ai endet i lirë, ndonëse tashmë është vënë sërish nën akuzë nga SPAK për vrasjen e dy biznesmenëve Vajdin Lame dhe Klodian Saliu. Ndërsa, vetë Coli u dënua përfundimisht me 10 vjet burg.
Për këto dy ekzekutime të 2005-s, në një hark kohor prej vetëm 24 orësh, të cilat kishin mbetur pa autorë, dëshmitar është bërë Luftar Reçi. Ai ka akuzuar për ekzekutimin në autostradën Tiranë-Durrës ndaj Klodian Saliut, ku pjesëmarrës ishte edhe vetë, se është organizatorë kanë qenë, Lulzim Berisha, kunati i tij, Plaurent Dervishaj dhe Indrit Taullai. Po aq rrënqethës ishte rrëfimi i Reçit për vrasjen e dy miqve, Vajdin Lame dhe Artan Arsi me eksploziv brenda ashensorit të shtëpisë së të parit më 26 shkurt të 2005.
Duke i kërkuar falje familjarëve për përfshirjen e tij, Ervis Bardhi u rrëfeu togave të zeza të Gjykatës së Posaçme sesi për llogari të Ardjan dhe Florenc Çapjas, qëlloi për vdekje babë e bir, Nezir e Gentian Beqirin. Pasi piu kafe në shtëpinë e tij, një ditë përpara se të kryente krimin si mik i viktimës, pra Gentjanit, ai e qëlloi për vdekje me tre plumba, ndërsa të atin e tij, e vrau Olsi Leku fillimisht duke shtënë me armë drejt tij, e më pas e mbyti me jastëk. Dëshmia e tij futi në kafaz përjetë, Ardjan Çapjan, ndërsa rrëfyesi i SPAK, Ervis Bardhi u dënua me 15 vjet heqje lirie.
Që nga viti 2004, moment kur ligji hyri në fuqi një të mbrojturi të drejtësisë i garantohen disa të drejta. Ulja e dënimit është një prej tyre, mbrojtja familjare, ndryshimi i identitetit dhe sigurimi i një jete të re jashtë Shqipërisë. Por të gjitha përfitimet janë në këmbim të vërtetësisë së çdonjërës nga thënieve që ata japin përballë akuzës e më pas edhe togave të gjykatës. Nëse provohet e kundërta apo mësohet se “i penduari” po fsheh të vërtetën, statusi i tij hiqet menjëherë, njëlloj si Henrik Hoxhajt.
Deklaratat e dëshmitarëve të fundit të drejtësisë që kanë dalë nga dosja “Golden Bullet” janë bërë njëherësh edhe dëshmi e fuqizimit të grupeve kriminale me metoda bashkëkohore, ku shpesh janë edhe më të sofistikuara sesa ato të policisë dhe organeve ligjzbatuese në tërësi.