Zheni Loli, IT-ja i gjykatës së Korçë është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, i akuzuar se kishte ngritur bazën e prodhimit të dokumenteve të falsifikuara me qëllim kalimin drejt Anglisë të drogës, por edhe sendeve të paligjshme.
Ndërkohë janë zbardhur edhe përgjimet që implikojnë Zhenin, i cili sipas njoftimit të Prokurorisë, kishte hapur një kancelari, e cila shërbente si bazë për prodhimin prodhimin e dokumenteve të falsifikuar me qëllim jo vetëm kalimin individual në vendet e BE-së por me qëllim kryesor kalimin drejt Anglisë të lëndëve narkotike dhe sendeve të tjera të kundraligjshme.
Pas kryerjes së veprimeve proaktive hetimore, vëzhgimeve, përgjimeve si dhe blerjeve të simuluara, u zbulua mekanizmi ku prodhoheshin dokumente të një cilësie të lartë që kishin gjithë kodet e sigurisë dhe që mund të kalonin çdo kontroll policor.
Më poshtë janë edhe një pjesë se bisedës mes Lolit dhe të inflitruarit, që çuan në goditjen e bazës së prodhimit të dokumenteve të falsifikuara.
Pjesë nga përgjimet
-Kam një dy shok ore burrë, të bëjmë ndonjë lek. A ka ndonjë lek për mua, ta gjej nanji
Zheni: Nuk e di se, e dëgjon këtë nuk është, ti thuaj sa të duash, ti e di pazarin
-E di e di por…
Zheni: Ti e di pazarin, thuaj sa të duash, o vlla këto punë unë i bëj për mik
-E marr vesh por nuk është se ka ndonjë çmim tjetër?
Zheni: Vetëm kujdes vlla, se ti qenke ca si kshu…
-O vlla po s’janë gjëra kto tani po bëjnë gjëra…. Qenke içik i shfrenuar por bëj kujdes, unë kaq po të them, pastaj ti e di
Zheni: Mirë zemra mirë, hajd shumë faleminderit
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria e Tiranës godet bazën e prodhimit të dokumenteve të falsifikuara me qëllim kalimin drejt Anglisë të lëndëve narkotike dhe sendeve të paligjshme, një i arrestuar
Prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë Tiranë kërkoi masën e sigurisë ‘Arrest në burg’ për shtetasin Zh.L., IT në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Juriksionit të Përgjithshëm Korçë, nën akuzë për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” parashikuar nga nenet 186, 143 dhe 298 i K.Penal.
Nga hetimet në kuadër të procedimit penal nr.617 viti 2024, rezultoi se shtetasi Zh.L., me aftësi të mira kompjuterike ka hapur subjektin e tij kancelarik i cili dyshohet se shërben si bazë për prodhimin e dokumenteve të falsifikuar me qëllim jo vetëm kalimin individual në vendet e BE-së por me qëllim kryesor kalimin drejt Anglisë të lëndëve narkotike dhe sendeve të tjera të kundraligjshme.
Pas kryerjes së veprimeve proaktive hetimore, vëzhgimeve, përgjimeve si dhe blerjeve të simuluara, u zbulua mekanizmi ku prodhoheshin dokumente të një cilësie të lartë që kishin gjithë kodet e sigurisë dhe që mund të kalonin çdo kontroll policor. Në përfundim të veprimeve hetimore të kryera nga ana e specialistëve, rezulton se shtetasi Zh.L. është njëri nga hallkat e këtij rrjeti që shërbejnë për kalimin e paligjshëm të kufirit nëpërmjet falsifikimit të dokumentave por jo vetëm dhe në kalimin e personave nëpërmjet rrugëve të tjera siç është ajo e transportit me kamion.
Nga ana e Specialistëve të Seksionit për Krimin Ekonomik e Financiar, u morën informacione në rrugë operative se shtetas të ndryshëm në bashkëpunim me njëri-tjetrin kundrejt pagesës ndihmojnë persona të caktuar për kalim të paligjshëm të kufirit nëpërmjet falsifikimit të kartave të identitetetit të shteteve Europiane dhe kryesisht karta identiteti italiane.
Me anë të këtyre kartave të falsifikuara këta shtetas duke shmangur kontrollet e bëjnë më të lehtë kalimin e lëndëve narkotike dhe sendeve të tjera të kundraligjshme jo vetëm në vendet e BE-së por me destinacion final Anglinë.