Tabaku: Dosja në SPAK ka të paktën dy ish ministra të tjerë, sekretari i përgjithshëm, katër kryetarë bashkish

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka folur ditën e sotme lidhur me çështjen e Arben Ahmetajt dhe inceneratorët. Tabaku tha se pagesa për këto kompani duhet të ndërpriten menjëherë, ndërsa kërkoi që inceneratorët të merren në dorëzim nga bashkitë, pasi i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 430 mln eurosh.

Në një intervistë për Panorama Tv, Tabaku theksoi se ato që SPAK po bën publike sot, ajo dhe kolegë të tjerë brenda opozitës kanë 6 vite që i thonë. Sipas saj Ahmetaj nuk ka vepruar i vetëm pasi askush nuk mund të ndryshojë tre herë ligjet në parlament pa dijeninë e kryeministrit.

“Ahmetaj nuk ka vepruar vetëm. Ka qenë një grup i strukturuar t’i japë një projekt nga asgjëja me vlerë 430 mln euro dhe ky projekt të vazhdojë sot të paguhet. Kemi tre persona para drejtësisë. Kështu që megjithëse ndodhem në një situatë të vështirë të në opozitë, sot kemi pasur një fitore jo vetëm morale. Nuk mundet të ndryshojë tre herë ligjet në parlament padijeninë dhe mbështetjen e kryeministrit. Unë e kam shprehur qartë në vite dhe në dosjen që kam çuar në Komisionin Hetimor implikimin që ka nga kryeministri te këshilli i ministrave. Janë 55 persona që ne kemi përfshirë në grupin e personave që kemi dorëzuar në kallëzimet tona në SPAK. Unë besoj që ata kanë arritur të mbledhin dhe informacione të tjera që i janë shtuar dosjes hetimore. Unë kam pasur sulme pa fund nga qeveria, nga kushdo në qeveri. Kam pasur debate të drejtpërdrejte. Ka pasur një avokati mediatike të jashtëzakonshme. Unë kam pasur sulme dhe nga opozita. Më vjen mirë që është tërhequr nga gjithë akuzat që i ka bërë Komisionit Hetimor”, tha Tabaku.

“Shumë kolegë të opozitës nuk e kanë miratuar raportin për shkak të luftës së brendshme që ne kemi pasur apo edhe për shkak se nuk ishin ata që e kishin zbuluar këtë gjë. Dosja në SPAK ka të paktën dy ish ministra të tjerë, sekretari i përgjithshëm, katër kryetarë bashkish. Në dosjen për Tiranën Arben Ahmetaj është i akuzuari i parë. Ne presim të ketë të akuzuar të tjerë në dosjen për Tiranën. Sot kemi një zhvillim të mirë. Janë 55 persona që kemi kallëzuar. 20 prej tyre janë sot para drejtësisë.

Kemi 430 mln euro të harxhuara dhe tre instalacione korrupsioni. Masat urgjente që te merren në dorëzim nga bashkitë. Të ndalohen pagesat për inceneratorin e Tiranës. Sot matrapazë janë ata që kanë lejuar që kjo të ndodhë dhe ata që i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 430 mln euro. Nëse Reforma në Drejtësi është miratuar, ka kaluar vetëm me votat e opozitës. Insistenca jonë, qëndrueshmëria jonë për ta denoncuar atë dhe këdo që ka qenë i përfshirë e ka ndihmuar SPAK për të dhënë transparencën e duhur. SPAK ka qenë në komunikim me parlamentin për të marrë të zbardhur procesverbalet e Komisionit Hetimor”, tha Tabaku.