Detaje të reja janë mësuar në lidhje me sulmin me armë ndaj godinës së “CFO Pharma”, që është në pronësi të Nadir Çaushollit. Dy janë pistat ku po heton policia. E para ka të bëjë më konkurrencën ndërsa pista e dytë lidhet me dyshimet se Çausholli është i përfshirë në marrjen dhe dhënien e parave me fajde rreth viteve 2019-2022.
Vetë biznesmeni nuk ka qenë shumë bashkëpunues me grupin hetimor, pasi nuk ka dhënë asnjë detaj që mund të ndihmonte në identifikimin e autorëve.
Ndërkohë mësohet se autorët, të cilët qëlluan me breshëri plumbash drejt godinës një ditë më parë, janë paaguar nga persona të tretë.
Policia ka marrë në pyetje punonjësit e kompanisë dhe ka sekuestruar kamerat e sigurisë jo vetëm të biznesit farmaceutik, por edhe të bizneseve të zonës. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë ende nuk është zbuluar ndonjë provë e rëndësishme që mund të çojë në zbulimin e autorëve.