Sulm i rëndë në Athinë, 89-vjeçari hap zjarr në dy institucione dhe plagos disa persona

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Athinë ku një burrë 89-vjeçar ka sulmuar me armë zjarri dy institucione dhe ka plagosur disa persona.

89-vjeçari, i cili thuhet se vuan nga probleme psikologjike, ia doli të arratiset dhe po kërkohet nga autoritetet.

Mediat greke bëjnë me dije se i moshuari fillimisht hyri në një zyrë të EFKA-s (institucion i sigurimeve shoqërore) në zonën e Kerameikos në Athinë, ku u ngjit në katin e katërt dhe qëlloi me armë duke plagosur një punonjës në këmbë.

Më pas, ai mori një taksi dhe u drejtua drejt Gjykatës së Apelit në rrugën Loukareos. Atje, hapi zjarr brenda ambienteve të gjykatës dhe plagosi katër punonjëse femra të Gjykatës së Shkallës së Parë.

Motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të sulmit.

Ndërkohë autoritetet greke po punojnë për kapjen e tij.