GJKKO shpall të pafajshëm ish- shefin e Policisë Rrugore të Tiranës

Gjykata e Posaçme ka shpallur të pafajshëm ish-shefin e Policisë Rrugore në Tiranë, Roven Zeka.

Ky i fundit, së bashku me shefin e  aksidenteve, Sokol Novaku dhe oficerin e policisë gjyqësore, Edison Tabaku akuzoheshin se kishin marrë rryshfet në lidhje me një aksident rrugor me qëllim që çështja të mos referohej në prokurori ose të manipuloheshin provat dhe hetimi i aksidentit.

Në vendimin e sot, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thotë se nuk provohet të ketë kryer veprën penale të korrupsionit.

Ndërkohë Gjykata vendosi dënimin me 2 vite burg për Edison Tabakun, 2 vite burg për Sokol Novakun dhe 1 vit burg për Erges Vrionin. Ky i fundit është bashkëshorti i gruas që u përfshi në aksident dhe personi që dha shumën e parave për të fshehur aksidentin.

Vrioni dhe Novaku nuk do të bëjnë asnjë ditë burg, pasi dënimi u konvertohet në shërbim prove.

Po ashtu GJKKO ka shpallur fajtor Blendi Bela për veprën penale të moskallëzimit të krimit. Sipas vendimit, Bela është dënuar me 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënim i konvertuar në shërbim prove.