Strategji apo presion? Çfarë fshihet pas interesit të Trump për Groenlandën

Përpjekja e presidentit Donald Trump për të vënë nën kontroll Groenlandën po dominon lajmet — dhe këtë herë nuk bëhet fjalë për një shaka.

Trump është tërhequr nga kërcënimet për përdorimin e forcës për të marrë ishullin dhe, në vend të kësaj, po flet për një “kornizë” që do t’i jepte Shteteve të Bashkuara akses në Groenlandë. Të premten, kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, tha se situata mbetet “serioze”, duke shtuar se vendi skandinav “ka një rrugë që po përpiqemi ta ndjekim me amerikanët. Ne kemi thënë gjithmonë se jemi, sigurisht, të gatshëm për të arritur një marrëveshje”.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse kjo marrëveshje do të funksionojë.

Ndërkohë, e gjithë kjo ka ngritur një valë pyetjesh në Uashington dhe jashtë tij, nëse kërcënimet e Trump kanë qenë strategji, mburrje apo diçka mes të dyjave — si dhe cilat do të jenë pasojat afatgjata për marrëdhëniet e Amerikës me aleatët. Këtu përpiqemi t’u përgjigjemi disa prej pyetjeve më të shpeshta mbi këtë çështje.

Pse Trump është kaq i interesuar për Groenlandën?

Obsesioni i Trump për të siguruar Groenlandën — e cila prej dekadash administrohet nga aleati i SHBA-së, Danimarka — paraqitet, sipas tij, si çështje sigurie kombëtare.

Presidenti dhe këshilltarët e tij po e përshkruajnë gjithnjë e më shumë Groenlandën si thelbësore për garantimin e sigurisë amerikane — madje edhe evropiane — përballë kërcënimeve në rritje nga Kina dhe Rusia.

Arsyeja? Groenlanda shtrihet mbi korridore kyçe detare në Arktik, të cilat po bëhen gjithnjë e më të lundrueshme për shkak të shkrirjes së akullit. Ajo gjithashtu strehon Bazën Hapësinore Pituffik, një instalacion kritik ushtarak amerikan për paralajmërimin e raketave, mbikëqyrjen hapësinore dhe operacionet arktike. Për Trump, Groenlanda përfaqëson leverage: pozicion strategjik, vlerë ushtarake dhe burime natyrore ende të pashfrytëzuara.

Interesi i tij për ishullin nuk është i ri. Në vitin 2019, Trump hodhi publikisht idenë e blerjes së Groenlandës, duke e quajtur atë më vonë “një marrëveshje e madhe pasurish të paluajtshme”.

Në atë kohë, kjo u konsiderua gjerësisht si një ide e parealizueshme nga një president impulsiv. Por gjashtë vjet më vonë, ajo që dikur dukej si një kërcënim frivol ka larguar aleatët evropianë dhe është shndërruar në një nga prioritetet kryesore të administratës.

Ian Bremmer, president i Eurasia Group, tha se fakti që Trump kishte kapur me forcë presidentin venezuelian Nicolas Maduro e ka shndërruar “Doktrinën Donroe” të tij në një “markë”, duke e inkurajuar të mbajë një qëndrim më armiqësor ndaj Groenlandës dhe aleatëve evropianë.

“Ai është totalisht i përkushtuar ndaj kësaj marke,” tha Bremmer nga Davosi. “Tani duhet ta mbushë atë me përmbajtje. Duhet të ketë gjithmonë ‘gjënë e radhës’. Dhe Groenlanda ishte ajo gjë.”

A ishte Trump serioz për pushtimin e Groenlandës?

Jo.

Nuk ekziston asnjë rrugë ligjore apo politike që SHBA të marrë Groenlandën pa shkelur sovranitetin e një aleati të NATO-s. Një veprim i tillë do ta shkatërronte praktikisht aleancën dhe do të shkelte ligjin ndërkombëtar.

Trump dhe ndihmësit e tij nuk e kanë konsideruar seriozisht një pushtim, por refuzimi për ta përjashtuar publikisht këtë mundësi ishte një përpjekje për të rritur fuqinë e tij negociuese. Kjo, megjithatë, zemëroi liderët evropianë, të cilët reaguan më ashpër se kurrë më parë: dërguan trupa në Groenlandë për stërvitje ushtarake dhe shqyrtuan përdorimin e “bazukës” kundër shtrëngimit ekonomik të BE-së, si përgjigje ndaj kërcënimeve të Trump për tarifa amerikane.

“Për vitin e parë, Evropa e ka përtypur pakënaqësinë, por ka punuar me Trump për ta mbajtur në krah,” tha Charles Kupchan nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë. “Kur presidenti i SHBA kërcënon të pushtojë një aleat të NATO-s, është koha për një qasje tjetër.”

Kjo përgjigje më e fortë funksionoi. Me tregjet globale që nisën të bien nga frika e një krize në përshkallëzim, Trump më në fund deklaroi në Davos se nuk do ta merrte Groenlandën me forcë ushtarake.

Megjithatë, sigurimet e tij të reja nuk e kanë shuar plotësisht zemërimin dhe ankthin evropian ndaj një lideri të njohur për ndryshime të shpeshta mendimi dhe për përdorimin e presionit dhe kërcënimeve si mjete negociuese.

Stili qeverisës i Trump mbështetet në kërcënime maksimale të ndjekura nga tërheqje selektive, duke i lënë aleatët dhe kundërshtarët të pasigurt se cilat deklarata janë thjesht fjalë dhe cilat mund të kthehen në politikë reale.

Me këtë president, edhe idetë që ai pretendon se i ka hequr nga tryeza, nuk zhduken kurrë plotësisht.

“Janë shumë të zemëruar.”

Groenlanda është një territor gjysmë-autonom brenda Danimarkës dhe udhëheqësit e saj kanë thënë vazhdimisht se ishulli nuk është në shitje. Zyrtarët vendas janë indinjuar gjithashtu nga retorika që e trajton Groenlandën si një objekt, e jo si një shoqëri prej 56 mijë banorësh me aspiratat e veta politike, përfshirë pavarësinë afatgjatë.

“Nuk jemi në një situatë ku mendojmë se një marrje e vendit mund të ndodhë brenda natës,” tha kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen. “Nuk mund ta krahasoni Groenlandën me Venezuelën. Ne jemi një vend demokratik.”

Në të njëjtën kohë, qeveria e Groenlandës mirëpret investimet amerikane, bashkëpunimin në siguri dhe angazhimin diplomatik — për sa kohë që respektohet autonomia e saj. Qasja trumpiane e ka tensionuar këtë ekuilibër, duke nxitur skepticizëm lokal, edhe pse lidhjet ushtarake dhe ekonomike me SHBA-në janë thelluar.

“Edhe pse Trump është tërhequr nga kërcënimet për pushtim, dëmi është bërë,” tha Bremmer. “Ata ndihen thellësisht të fyer. Ndihen sikur Trump i trajton me përçmim.”