Spiropali sfidon Ramën, dërgon në Asamble mocionin për hapjen e partisë

Elisa Spiropali nuk ka ndërmend të ndalet, edhe pse kryeministri Rama e kërcënoi me përjashtim nga partia.

Sot ajo ka dorëzuar në Asamblenë e PS-së mocionin për hapjen e partisë për një marrëveshje të ri për Shqipërinë.

“E mbajta premtimin dhe sapo dorëzova në Asamblenë e Përgjithshme të PS mocionin për hapjen e debatit për marrëveshjen e re për Shqipërinë. Nuk është vetëm dokumenti im, është i hapur për të gjithë anëtarët e PS-së. Ia kam drejtuar Ramës, Asamblesë së Përgjithshme dhe çdo anëtari. Një marrëveshje për Shqipërinë nuk mund të hartohet nga një apo dy individë, por duhet të shprehë vullnetin e partisë dhe shoqërisë”, u shpreh Spiropali.

Sipas saj, ky mocion ka të bëjë me hapjen e partisë për më shumë demokraci dhe përfaqësim, teksa tha se të rinjtë janë në pararojë të kërkesave për ndryshim dhe se mazhoranca dhe Partia Socialiste kanë mundësinë për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave.

“Duhet më shumë demokraci, përfaqësim, drejtësi shoqërore, marrëdhënie më të drejtë mes shtetit dhe qytetarit. Të rinjtë që janë në pararojë të kërkesave për ndryshim janë ata që presin më shumë nga ne. Kam besimin që mazhoranca dhe PS-ja ka të gjitha mundësitë që t’u përgjigjet këtyre kërkesave”, tha ajo.

Për sa i përket protestave, Spiropali hodhi edhe “thumba” kundrejt Ramës, duke thënë se protestuesve duhet t’u përgjigjen me përulësi dhe jo me arrogancë.