Kapri: Rama si Enver Hoxha, të dy kanë heshtur për Kosovën! Ministrja serbe e gjen guximin te aleati në Tiranë

Deklarata e ministres serbe për Kosovën ka sjellë debate të forta edhe në Parlamentin e Shqipërisë, ku deputetët e opozitës kanë akuzuar kryeministrin Rama se ka heshtur për këtë skandal.

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, u shpreh se Edi Rama, ashtu si Enver Hoxha, janë dy krerët e shtetit që kanë heshtur për atë që Serbia i ka bërë Kosovës, teksa tha se ish-kryeministri Haradinaj e ka treguar publikisht që Edi Rama i ka kërkuar ndarjen e Kosovës.

“Rama ka qenë kryeministri i vetëm pas Enver Hoxhës që ka vizituar Beogradin dhe, ashtu si Enver Hoxha, ka heshtur për Kosovën. Rama ka thënë për veriun se është tokë e askujt. Ramush Haradinaj ka deklaruar publikisht se Rama i ka kërkuar ndarjen e Kosovës”, u shpreh Kapri.

Sipas tij, ministrja serbe e gjen guximin të bëjë ato deklarata nga aleati në Tiranë (Rama), pasi e di që nga Tirana zyrtare nuk do të ketë asnjë reagim.

“Ku e gjen guximin ministrja serbe që fyen rëndë shqiptarët e Kosovës, sepse gjen në Tiranë një aleat që hesht”, deklaroi deputeti.