Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali vendosi që të anulojë seancën plenare të parashikuar për ditën e sotme, për shkak të vizitës së Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në Tiranë.
Por vendimi i Spiropalit është marrë pa mbledhur Konferencën e Kryetarëve, ndaj ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike, që e cilëson vendimin si anti-kushtetues.
Sipas PD, Kuvendi nuk mund të jetë qelia personale e Pëllumb Gjokës, por tempulli i përfaqësimit të qytetarëve.
“Kuvendi i Shqipërisë është institucion kushtetues, që funksionon sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.
Seanca plenare dhe plani i punës së Kuvendit miratohen nga Konferenca e Kyetarëve me mirëkuptim apo nga seanca plenare, që ka përcaktuar me vendim se dita e enjte, datë 10 Tetor 2024, është ditë për mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare.
Kryetarja e Kuvendit ka vetëm detyrimin për të caktuar çështjet qe trajtohen, pra Rendin e Ditës.
Anullimi i seancës me vendim personal të Elisa Spiropalit është antikushtetues dhe bie ndesh me çdo parim demokratik të funksionimit të Parlamentit. Kuvendi nuk është qelia personale në burg e Pëllumb Gjokës, që për shkak të lidhjeve me pushtetin, ai e hap e mbyll sa herë dëshiron. Kuvendi është tempulli i përfaqësimit të qytetarëve, që nuk mund të trajtohet kurrë si qelia e Pëllumb Gjokës.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dënon me forcë sjelljen e Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali, që hap e mbyll punimet e Kuvendit, pa asnjë konsultim, pa ndjekur asnjë rregull, duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, dhe duke e shndërruar zyrtarisht Parlamentin e Shqipërisë në qelinë personale në burg ku strehohet Pëllumb Gjoka apo të ngjashmit e tij”, shprehet PD.