Qeveria e Pedro Sánchez po planifikon transferimin urgjent në Spanjën kontinentale të 500 vajzave emigrante që mbërritën në Ceuta, ndërsa BE-ja mbështet kthimin e të miturve të pashoqëruar në Marok.
Sipas Ministrisë spanjolle për Rininë dhe Fëmijët, po punohet për transferimin urgjent në territorin kontinental të Spanjës të rreth 500 vajzave emigrante që mbërritën në Ceuta gjatë fluksit masiv të emigrantëve të datave 30–31 korrik.
Burime nga ministria bëjnë të ditur se “ky plan përfshin dekretligjin mbretëror që parashikon pritjen e detyrueshme dhe solidare nga të gjitha komunitetet autonome, ose sistemimin në familje, si dhe mekanizma të tjerë për përshpejtimin e pritjes”.
Një nga opsionet që po shqyrtohet është krijimi i një skeme përmes së cilës organizatat për mbrojtjen e fëmijëve do të menaxhonin pritjen dhe kujdesin për rastet më vulnerabël, përfshirë vajzat, në ambiente të përshtatura në territorin kontinental, pa qenë e nevojshme që kujdestaria të transferohej te komunitetet autonome.
Disa komunitete autonome kanë deklaruar tashmë se nuk do të pranojnë të miturit e pashoqëruar që mbërritën gjatë kalimit masiv në Ceuta. Qeveria qendrore i ka kritikuar këto rajone për atë që e konsideron mungesë “solidariteti”.
Ndërkohë, Maroku i kërkoi javën e kaluar qeverisë spanjolle kthimin e shtetasve marokenë që ende ndodhen në enklavë.
“Mbrojtja e interesit më të mirë të fëmijës”
Elma Saiz, ministre për Përfshirjen, Sigurimet Shoqërore dhe Migracionin, tha për transmetuesin publik RNE se çështja po trajtohet nga autoritetet e Ceutës në bashkëpunim me Departamentin për Fëmijët dhe komunitetet autonome.
Ajo preferoi të mos jepte detaje të mëtejshme, por theksoi nevojën për të “mbrojtur interesin më të mirë të fëmijës”.
Politikania socialiste theksoi se “këto janë vajza që ndodhen vetëm”. Sipas saj, të miturat janë sistemuar në ambiente të sigurta në Ceuta për të parandaluar rastet e dhunës seksuale, pas një numri përdhunimesh të raportuara ditët e fundit, çështje që tashmë ndodhen në duart e drejtësisë.
Ministrja e Sigurimeve Shoqërore nënvizoi nevojën për respektimin e ligjit dhe tha se qeveria i ka akorduar Ceutës 25 milionë euro për përballimin e situatës.
Policia Kombëtare kishte identifikuar dhe dorëzuar pranë autoriteteve të Ceutës 2.168 të mitur deri të martën, më 18 gusht.
Brukseli mbështet kthimin e emigrantëve në Marok
Ndërkohë, Bashkimi Evropian mbështet kthimin e të miturve të pashoqëruar nga Ceuta në Marok.
“Prioriteti tani është që autoritetet spanjolle dhe marokene ta mbajnë situatën nën kontroll dhe të garantojnë kthimin e shpejtë të të gjithë atyre që ndodhen në mënyrë të parregullt në Ceuta”, tha të martën zëdhënësi i Komisionit Evropian, Markus Lammert, në një konferencë për shtyp.
Lammert theksoi se kthimet mbështeten në legjislacionin e BE-së, duke shtuar se ato rregullohen nga “Direktiva e Kthimit” dhe, në të ardhmen, nga “Rregullorja e Kthimit të BE-së”.