Shqipëria nuk do të pasurohet nga turizmi dhe as duke shkatërruar atë që e bën unike

Shqipëria po përjeton një bum turistik. Numri i vizitorëve rritet, hotelet shtohen, çmimet e tokës në bregdet shumëfishohen dhe investimet turistike paraqiten pothuajse çdo ditë si prova se vendi po ecën drejt prosperitetit.

Në këtë atmosferë, kundërshtimi ndaj ndërtimeve në zona si Narta dhe Zvërneci paraqitet lehtësisht si një konflikt mes dy Shqipërive, asaj që kërkon zhvillim dhe asaj që kërkon të mbrojë natyrën.

Por ky është një debat i gabuar.

Pyetja nuk është nëse Shqipëria duhet të ketë turizëm. Sigurisht që duhet.

Pyetja është shumë më e vështirë: A mund të bëhet një vend i pasur duke e vendosur turizmin në qendër të modelit të tij ekonomik?

Përgjigjen e kemi gati. Mjafton të shohim Europën, sepse Europa e ka bërë tashmë këtë eksperiment. Dhe rezultatet janë shumë më komplekse sesa narrativa që po i shitet sot Shqipërisë.

Nëse turizmi të bën të pasur, Spanja duhej të ishte një nga vendet më të pasura të Europës. Spanja, mbretëresha europiane e turizmit ka gjithçka që Shqipëria ëndërron të ketë pas disa dekadash. Një industri turistike globale, aeroporte të mëdha, infrastruktura, resorte, hotele, ishuj të famshëm dhe një markë turistike të njohur në të gjithë botën.

Në vitin 2024, ajo ishte vendi i dytë më i vizituar në botë, me rreth 94 milionë turistë ndërkombëtarë. Në vitin 2025, Spanja regjistroi mbi gjysmë miliardë netë qëndrimi në struktura turistike. Kjo është një industri gjigante. Por Spanja nuk u bë Zvicër.

Turizmi e ka bërë Spanjën një fuqi turistike. Nuk e ka bërë automatikisht një nga ekonomitë më të pasura të Europës. Dhe ky dallim është thelbësor për Shqipërinë.

Sepse të jesh një vend shumë i vizituar dhe të jesh një vend shumë i pasur janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Gjithashtu, një shembull ideal është Greqia. Shqipëria duhet ta studiojë veçanërisht Greqinë. Jo vetëm sepse është vend fqinj, por sepse Greqia është ndoshta laboratori më i mirë për të kuptuar se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëjë turizmi për një ekonomi.

Greqia është një superfuqi turistike. Santorini, Mykonos, Kreta, Rodos, Korfuzi, Athina dhe dhjetëra destinacione të tjera janë marka ndërkombëtare. Në vitin 2024, turizmi kontribuoi drejtpërdrejt rreth 7,3% të vlerës së shtuar të ekonomisë greke dhe punësonte drejtpërdrejt rreth 14,4% të fuqisë punëtore. Të ardhurat nga udhëtimet arritën rreth 21,6 miliardë euro. Janë shifra që Shqipëria sot vetëm mund t’i ëndërrojë. Por përsëri duhet bërë pyetja:

A e bëri kjo Greqinë një nga vendet më të pasura të Europës? Jo!

Turizmi krijoi vende pune. Solli valutë. Mbështeti ishuj të tërë. Financoi mijëra biznese familjare. Krijoi pasuri dhe vazhdon të jetë një nga avantazhet më të mëdha ekonomike të Greqisë. Por nuk ishte në gjendje të zëvendësonte produktivitetin, teknologjinë, industrinë, inovacionin dhe sektorët me vlerë të lartë të shtuar.

Dhe këtu qëndron mësimi për Shqipërinë.

Vendet që kanë kaluar dekada duke ndërtuar industrinë turistike tani po diskutojnë se si ta balancojnë atë.

Shqipëria po sillet sikur sapo ka zbuluar formulën magjike të pasurisë.

Pse ndodh kjo?

Sepse turizmi ka një kufizim ekonomik që shpesh harrohet. Në pjesën më të madhe të tij, është një industri intensive në punë dhe jo domosdoshmërisht intensive në dije dhe teknologji.

Një hotel ka nevojë për recepsionistë, kamarierë, pastrues, kuzhinierë, mirëmbajtje dhe menaxhim. Të gjitha janë punë të nevojshme dhe dinjitoze. Por një ekonomi nuk bëhet e pasur vetëm duke krijuar më shumë vende pune. Bëhet e pasur kur rrit vlerën që prodhon çdo punëtor. Kjo është arsyeja pse ekonomitë më të pasura të Europës nuk mbështeten kryesisht tek turistët.

Ato prodhojnë farmaceutikë, teknologji, makineri, shërbime financiare, software, patenta, kërkim shkencor, produkte industriale dhe shërbime profesionale me vlerë të lartë.

Turisti mund të shpenzojë 1.000 Euro në një javë. Një kompani teknologjike mund të eksportojë një produkt intelektual me vlerë miliona euro pa konsumuar një kilometër bregdet. Ky është ndryshimi.

Dhe këtu arrijmë te Narta.

Nëse e shohim Revolucionin e Flamingove vetëm si një betejë për zogjtë, humbasim pjesën më të rëndësishme të debatit. Narta është një pyetje ekonomike, sepse Shqipëria po vendos sot se çfarë do të bëjë me një nga asetet e saj më të rralla, me territorin natyror.

Argumenti është pothuajse gjithmonë i njëjtë. Do të vijë investimi. Do të ndërtohet resorti. Do të krijohen vende pune. Do të vijnë turistët.

Por nëse kjo formulë ishte e mjaftueshme për të krijuar një vend të pasur, atëherë Spanja dhe Greqia do të ishin sot ndër vendet më të pasura të kontinentit. Por nuk janë.

Një resort krijon aktivitet ekonomik, por aktiviteti ekonomik nuk është automatikisht pasuri afatgjatë. Ekonomia shqiptare duhet të mësojë të dallojë mes të ardhurave dhe pasurisë.

Imagjinoni një familje që zotëron dhjetë hektarë tokë.

Çdo vit shet një hektar dhe me paratë e shitjes jeton shumë mirë. Të ardhurat e familjes janë të shkëlqyera. Por a po pasurohet familja? Jo. Po konsumon kapitalin e saj. Në fund të dhjetë viteve nuk ka më tokë. Ky është rreziku i modelit shqiptar të zhvillimit turistik.

Bregdeti është kapital.

Laguna është kapital.

Peizazhi është kapital.

Biodiversiteti është kapital.

Territori është kapital.

Nëse i transformojmë vazhdimisht këto asete në ndërtime dhe e regjistrojmë këtë proces si “zhvillim”, duhet të jemi shumë të sigurt se vlera që krijojmë është më e madhe se ajo që po shkatërrojmë.

Sepse një hotel mund të amortizohet në 30 vjet.

Një lagunë nuk rindërtohet në 30 vjet.

Paradoksi shqiptar

Dhe këtu Shqipëria përballet me një paradoks. Po përpiqet të kopjojë modelin turistik të Mesdheut pikërisht në momentin kur shumë destinacione mesdhetare po përpiqen të korrigjojnë pasojat e tij.

Spanja po përballet me presionin që turizmi ushtron mbi banesat dhe komunitetet lokale. Greqia diskuton gjithnjë e më shumë për kapacitetin e ishujve, ujin, mbetjet dhe presionin mbi infrastrukturën. Portugalia kërkon një turizëm më të balancuar dhe më rezistent. Dhe Shqipëria? Shqipëria ende mat suksesin kryesisht me numrin e turistëve.

Më shumë turistë. Më shumë hotele. Më shumë resorte. Më shumë ndërtime. Por “më shumë” nuk është strategji ekonomike.

Shqipëria ka një avantazh që Spanja dhe Greqia nuk mund ta blejnë.

Shqipëria ka sot diçka jashtëzakonisht të vlefshme pikërisht sepse zhvillimi masiv erdhi më vonë.

Ka ende zona të egra.

Ka ende laguna.

Ka ende bregdet relativisht të paprekur.

Ka ende vende ku flamingot mund të ulen.

Ky nuk është tregues prapambetjeje. Në ekonominë e shekullit XXI mund të jetë avantazh konkurrues. Sepse Spanja mund të ndërtojë një hotel tjetër. Greqia mund të ndërtojë një resort tjetër. Por as Spanja dhe as Greqia nuk mund të rikrijojnë bregdetin që kanë humbur gjatë 50 viteve të zhvillimit masiv.

Shqipëria ende e ka këtë zgjedhje.

Prandaj, Revolucioni i Flamingove nuk duhet të shihet si një lëvizje kundër turizmit. Përkundrazi. Mund të jetë momenti kur Shqipëria të fillojë të diskutojë seriozisht çfarë lloj turizmi dëshiron.

Një turizëm që konsumon territorin? Apo një turizëm që e bën territorin më të vlefshëm pikërisht duke e mbrojtur?

Shqipëria duhet ta zhvillojë turizmin. Duhet të ndërtojë hotele. Duhet të tërheqë investime ndërkombëtare. Por duhet njëkohësisht të ndërtojë industri, teknologji, bujqësi me vlerë të lartë, energji, ekonomi digjitale, kërkim, universitete dhe shërbime profesionale që eksportohen.

Sepse historia ekonomike e Mesdheut na e ka dhënë tashmë përgjigjen. Turizmi mund ta bëjë një vend shumë të vizituar, mund ta bëjë një vend shumë tërheqës, mund të krijojë miliarda euro të ardhura. Por vetëm turizmi nuk e bën një vend të pasur.

Spanja e di këtë. Greqia e di këtë. Portugalia po e diskuton këtë.

Shqipëria ka luksin ta kuptojë përpara se të jetë tepër vonë.

Dhe ndoshta, pas gjithë zhurmës politike, ky është mesazhi më i rëndësishëm i Revolucionit të Flamingove: Mos shkatërro atë që të bën të pasur, duke kërkuar dëshpërimisht mënyra për t’u pasuruar. BIRN