Media Ditari

Arrestohet zyrtari i lartë i ministrisë me urdhër të SPAK! Ky është një titull që e shohim shpesh në media ditët e sotme, pasi korrupsioni ka arritur të jetë pjesë e pandashme e institucioneve në vendin tonë. Sigurisht, pas këtyre lajmeve, vjen edhe vlerësimi që i bëhet SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme që u ngrit për të kapur peshqit e mëdhenj, por që po mban frymën gjallë vetëm me cironka.

Rasti i fundit ishte ai në Ministrinë e Shëndetësisë, ku Sekretarja e Përgjithshme e këtij institucioni, Joana Duro, u arrestua se kishte përfituar si ryshfet gjysmën e vlerës së një tenderi. Së bahsku me të u arrestua edhe një tjetër zyrtare, ndërkohë që asnjëherë nuk u lakua emri i ministres, a thua se ajo s’ka asnjë dijeni se çfarë ndodh në institucionin që ajo drejton. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në raste të tjera, siç ishte tenderi i uniformave të Policisë së Shtetit, ku u arrestuan zyrtarët, ndërsa ministri doli në deklaratë sikur nuk dinte çfarë bënin vartësit e tij. Dhe ku, në Ministrinë e Brendshme, ku spiunët me apo pa pagesë janë më të shumtë se kudo.

Këto janë vetëm 2 raste të cilat SPAk i ka propaganduar me të madhe, por ka shumë raste të tjera në të cilat fshihen. Raste, që janë në interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, pasi janë të përfshirë ministra e deputetë, të cilët vetëm e kanë dëmtuar Shqipërinë gjatë kohës kur kanë qenë në detyrë.

I tillë është lirimi i ish-ministrit Saimir Tahiri, i cili jo vetëm ia hodhi paq me një akuzë mediokre, por tashmë ka lënë edhe qelinë e burgut, duke shijuar lirinë pranë familjes së tij. Ku është SPAK në këtë rast? Si mund të lihet i lirë një ministër që ka abuzuar me detyrën që i është besuar?

Por kjo është vetëm maja e ajsbergut. Inceneratorët janë një plagë që po hapet i hapet akoma më shumë Shqipërisë. Pavrësisht akuzave të ngritura në Prokurori dhe arrestimit të disa zyrtarëve, paratë vijojnë të shkojnë në llogaritë bankare të personave të shpallur në kërkim, të cilët media arrin t’i gjejë dhe t’i fotografojë, ndërsa Prokuroria e Posaçme nuk mundet as t’i shohë kur i ka përpara syve.

Një tjetër çështje që kërkon zgjidhje është mandate i ministres Olta Xhaçka, cila akuzohet nga opozita se është në konflikt të hapur interesi, sepse kompania e bashkëshortit të saj, pra edhe ajo vet, kanë përfituar pasuri publike shtetërore, gjatë investimit në një objekt turistik. Çështja duhet të kalojë në Gjykatën Kushtetuese, por po pengohet nga Parlamenti. Mesa duket, kolegët e saj socialist nuk duan ta lejojnë mjinistren të hetohet, pasi edhe ata vetë janë të vetëdijshëm për shkeljet që ajo ka bërë dhe përballjen që duhet të ketë me drejtësinë.

Këto janë shumë pak raste kur “peshqit e mëdhenj” të politikës ia hedhin paq, pasi për çudi, rrjeta e SPAK ngec kur lëshohet për ata, ndërkohë që grepi punon më së miri për zyrtarët “cironka”, që duan të sillen si shefat e tyre, por harrojnë që këta të fundit të shesin kur nuk u duhesh më.