SPAK merr të pandehur ish-drejtorin e Burgjeve, Agim Ismaili

Ish-kreu i Burgjeve, Agim Ismaili është marrë i pandehur nga SPAK. Ismaili është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme ku i është komunikuar përfundimi i hetimet dhe marrja e tij si i pandehur.

Ai akuzohet për për tre vepra penale, konkretisht: “përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të dyshuara si të kryera në tentativën për hakërimin e sistemit elektronik të SPAK.

Emri i Ismailit doli në sulmin kibernetik që iu bë SPAK në muajin mars, për të cilin u arrestuan ish-punonjësi i IMT, Arnold Rrokaj dhe ish-zyrtari i burgut Vlorë, Zambak Gjonaj.

Asokohe, nga sulmi kibernetik ndaj Prokurorisë së Posaçme, hakerët tentuan të merrnin informacione të klasifikuara nga kompjuterët e prokurorëve Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini.

Sipas, SPAK hakerët nuk kanë mundur të depërtojnë në sistemin e brendshëm të IT- që sipas tyre mbetet i pacënuar- por kanë arritur që të marrin të dhënat nga adresat e emaileve të disa prokurorëve, por s’ka rrjedhje të dosjeve hetimore. Hakerët kanë tentuar që të ndërhyjnë edhe në emailin e kryeprokurorit Altin Dumani, por sipas SPAK nuk kanë pasur sukses falë masave të sigurisë.