SPAK merr nën hetim Ramën? GJKKO kërkon nisjen e hetimeve për prishjet e banesave të 5 Majit, në dosje Veliaj dhe Mazniku

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka urdhëruar zyrtarisht Prokurorinë e Posaçme (SPAK) të regjistrojë dhe të nisë hetimet penale ndaj Kryeministrit Edi Rama, në lidhje me shpronësimet e kryera në zonën e njohur si “5 Maji” në Tiranë.

Burime për mediat bëjnë me dije se hetimi do të përqëndrohet te miratimi dhe zbatimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 533 lidhur me shpronësimet e pronarëve te “5 Maji”, i cili sipas kallëzimit të një qytetari nuk ka pasur asnjëherë interes publik real, por ka shërbyer për të favorizuar ndërtimet e kompanive private të lidhura ngushtë me pushtetin lokal dhe qendror.

Sipas kallëzuesit, VKM nr. 533 nuk është përdorur për interes të qytetarëve, por për të justifikuar legalisht prishjen e banesave, largimin me forcë të pronarëve dhe më pas dhënien e truallit në përdorim të kompanive ndërtuese që kanë përfituar projekte shumëkatëshe komerciale.

Përveç Ramës, hetimet nisin edhe ndaj ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj të cilit i rëndohet pozita edhe më shumë pasi ndodhet në burg për një dosje tjetër dhe Arbjan Maznikut, i cili këtë të enjte dëshmoi në GJKKO për dosjen “5D”.

Gjykata e Posaçme, pas shqyrtimit të dokumentacionit, ka konstatuar se ka indicie të mjaftueshme për të urdhëruar SPAK-un të regjistrojë procedimin penal dhe të nisë hetimet.

Prokuroria e Tiranës më herët e kishte hetuar këtë cështje dhe kishte vendosur pushimin e saj.

NJOFTIM PËR MEDIAT

Pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me datë 08.09.2025 është regjistruar kërkesa me nr. 140 regj.them., dërguar për kompetencë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, me kërkues Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me objekt: “Pushimin e çështjes penale me nr. 1782 të vitit 2022, të regjistruar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, për shkak se fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale”.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenet 112, 128, 128/a pika 1 shkronja “b”, 329 dhe 329/b e vijues të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 140, datë 30.09.2025, vendosi:

Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me datë 14.04.2023, me objekt: “Pushimin e çështjes penale me nr. 1782 të vitit 2022, të regjistruar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, për shkak se fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale”.

Kalimin e akteve që ndodhen pranë kësaj gjykate, të përcjella nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtën e ankimit brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Tiranë, më datë 02.10.2025

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar