Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vënë nën hetim deputetin e Partisë Demokratike, Luan Baçi.
Ky i fundit u paraqit sot në SPAK, së bashku me avokatin e tij, ku qëndroi rreth gjysmë orë. Pasi doli nga Prokuroria e Posaçme ai u ndal në një komunikim për gazetarët.
“E njëjta procedurë i njëjti zanat. Është e treta herë që vij, madje them të aplikoj për vende pune. Një ish ortaku im është kujtuar që pas 16 viteve të më kallëzoj në SPAK për problematika nga më të ndryshmet për arsyet që ai pretendon. Sot jam si një person nën hetim. I bëra shpjegimet për qytetarët se ai që shkon në SPAK të cilësojnë si njeri të bërë pis. Do të përballem pikë për pikë të ligjit”, tha Baçi.
Mësohet se çështja ndaj Baçit është regjistruar pas një kallëzimit të bërë në shkurt të vitit 2024 nga ish-ortaku i tij i biznesit, Aredin Behari.
Ky i fundit e akuzon deputetin opozitar për pastrim parash dhe fshehje pasurie në vlerën e 1.5 milionë eurove.