Pasi e shkarkoi si ministër, Rama merr Lamallarin në ekipin e tij në Kryeministri

Këtë të premte, kryeministri Edi Rama shkarkoi nga detyra ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, detyrë që ai e mbante që prej marsit të këtij viti.

Në vend të tij do të jetë Ervin Demo,  i cili deri më tani ka qenë ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor.

Me anë të një videomesazhi të ndarë në rrjetet sociale, Rama u shfaq në zyrën e tij në Kryeministri së bashku me Lamallarin dhe Demon.

Ai u shpreh se Lamallari do i bashkohet skuadrës së tij në Kryeministri ndërsa Demo merr rolin e ministrit të Brendshëm.

“Sot kemi vendosur të bëjmë një lëvizje në skuadrën që është në fushë. Dhe Besforti, nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme, do të kalojë në stolin tim, bashkë me mua dhe ekipin këtu në Kryeministri. Ndërkohë që Ervini (Demo), ministri i deritanishëm i Pushtetit Vendor, do të mbulojë Punët e Brendshme, ku do të integrojmë edhe çështjet vendore, diçka që nuk është e re për historikun e Ministrisë. Por pasi ka marrë një formë goxha më të plotë, duke qenë veç, do të bëhet tani pjesë e strukturës së punëve të Ministrisë. Faleminderit për shërbimin e derimëtanishëm, faleminderit paraprakisht për shërbimin e mëtejshëm”, u shpreh Rama.