Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ushtruar kontroll në një banesë ditën e djeshme në zonën e Kodrës së Diellit. Raportohet se kontrollet janë kryer në banesën e aktorit Gazmend Paja, siç shkruan Oranews. Banesa e Pajës rezulton të jetë blerë nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Lajmin për kontrollin e BKH e dha dje eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço në një intervistë për mediat.
“Para dy orësh është kontrolluar një banesë një kat më lart me banesën e Erion Veliaj. Hetimet janë në vazhdim dhe ndonëse zgjedhjet janë afër, për raste të veçanta SPAK nuk po ndalet,” deklaroi Karamuço.
Kujtojmë se Paja, i shpallur investitor nga qeveria për ndërtimin e një resorti në Dhërmi u paraqit për herë të dytë në SPAK në muajin shkurt, ku prokurorët e posaçëm i sekuestruan telefonin.
Burime për mediat bënë me dije se Gazmend Paja është pyetur nga SPAK në lidhje me hetimet për kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.