Më datë 28 Janar pritet që të mblidhet Këshilli i Mandateve, ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për t’i hequr imunitetin zv.kryeministres, Belinda Balluku, e marrë e pandehur për tunelin e Llogarasë dhe në hetim për Unazën e Madhe.
Ashtu siç socialistët kishin paralajmëruar, mbledhja do të zhvillohet disa ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje.
Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe. Këto dy afera i kanë kushtuar buxhetit të shteti mbi 210 milionë euro.
GJKKO e pezulloi nga detyra Ballukun dhe i sekuestroi pasaportën, duke e ndaluar të dalë jashtë vendit, ndërkohë që ishte Gjykata Kushtetuese pas ankimimit të qeverisë që e riktheu në detyrë, teksa shqyrtimi i plotë i çështjes do të bëhet në 22 Janar.
Njoftimi i Kuvendit:
•Me Urdhrin nr. 3, datë 12.01.2026, është thirrur mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në datën 28 janar 2026, ora 12:00, në Kryesinë e Kuvendit, për vijimin e shqyrtimit procedural të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, që ka për objekt dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit, sipas procedurave të parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit.