Prokuroria e Posaçme (SPAK), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka zhvilluar këtë të premte një operacion të gjerë për ekzekutimin e 20 masave të sigurisë ndaj personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale.
Sipas informacioneve paraprake, personat nën hetim dyshohen për trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim të produkteve të veprës penale në vlera të konsiderueshme, aktivitete që dyshohet se janë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Në kuadër të këtij operacioni, në pranga ka përfunduar biznesmeni Orest Sota, ndërsa në kërkim janë shpallur Artur Shehu dhe Edmond Jaupi.
Aksioni po vijon ende në disa qytete të vendit, ndërsa autoritetet pritet të dalin me një njoftim zyrtar për të dhënë më shumë detaje lidhur me numrin e personave të përfshirë, masat e sigurisë të ekzekutuara dhe rezultatet e operacionit.
SPAK dhe Policia e Shtetit nuk kanë bërë ende publike detaje të tjera mbi dinamikën e hetimeve, ndërsa pritet që në orët në vijim të zbardhen më shumë informacione rreth kësaj çështjeje.