Irani: Ende nuk ka marrëveshje përfundimtare me SHBA-në, pavarësisht pretendimeve të Trump

Teherani ka deklaruar se nuk është arritur ende një marrëveshje përfundimtare për t’i dhënë fund konfliktit aktual me Shtetet e Bashkuara, pavarësisht deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump se një marrëveshje është pranë nënshkrimit.

Trump deklaroi se SHBA-ja ishte gati të godiste sërish Iranin “shumë fort”, por më pas tha se kishte anuluar sulmet pasi negociatorët kishin arritur një marrëveshje me Teheranin.

Duke folur para gazetarëve, ai tha se marrëveshja është “në pritje të finalizimit të dokumenteve”, proces që sipas tij duhet të përfundojë brenda pak ditësh. Trump shtoi se ka gjasa që nënshkrimi të zhvillohet në Evropë.

Megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, i cilësoi raportimet për një marrëveshje si spekulative, duke theksuar se asgjë nuk është finalizuar.

Trump ka deklaruar edhe më herët se një marrëveshje me Iranin ishte afër, por pa u konkretizuar më pas.

Konflikti mes dy vendeve u përshkallëzua pas sulmeve të gjera të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt. Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit dhe vendeve aleate të SHBA-së në Gjirin Persik, si dhe me bllokimin efektiv të Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.

Megjithëse palët ranë dakord për një armëpushim në prill, përplasjet sporadike kanë vazhduar, përfshirë dy raunde sulmesh reciproke gjatë kësaj jave.

Pas komenteve të fundit të Trump për një marrëveshje të afërt, çmimi i naftës Brent ra me 4.4%, duke zbritur në rreth 89 dollarë për fuçi.

Presidenti amerikan deklaroi se marrëveshja parashikon që Irani “të mos ketë kurrë armë bërthamore”, duke e cilësuar këtë si objektivin kryesor të gjithë konfliktit.

Ai shtoi se dokumentet janë pothuajse në formën përfundimtare dhe se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet sapo marrëveshja të nënshkruhet.

Trump tha gjithashtu se kishte zhvilluar bisedime me liderë të rajonit, përfshirë aleatët e SHBA-së në Gjirin Persik dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke pretenduar se “i gjithë Lindja e Mesme është e lumtur”.

Nga ana tjetër, zyra e kryeministrit izraelit konfirmoi bisedën me Trump, por theksoi se Izraeli “nuk është palë në memorandumin e mirëkuptimit”. Sipas deklaratës, Netanyahu ka kërkuar që çdo marrëveshje përfundimtare të përfshijë eliminimin e materialeve të pasuruara bërthamore, çmontimin e infrastrukturës së pasurimit, kufizime në prodhimin e raketave dhe ndërprerjen e mbështetjes së Iranit për grupet aleate në rajon.

Ndërkohë, Baghaei tha se pjesa më e madhe e tekstit të memorandumit është përfunduar, por akuzoi SHBA-në se ka paraqitur “kërkesa të tepruara” dhe kushte të reja. Ai nënvizoi se Irani nuk do të heqë dorë nga “vijat e kuqe” të tij.

Bisedimet mes dy vendeve vazhdojnë, ndërsa Uashingtoni kërkon një zgjidhje të shpejtë jo vetëm për t’i dhënë fund konfliktit, por edhe për të adresuar çështje të sigurisë në Ngushticën e Hormuzit dhe programin bërthamor iranian.