Sot Shqipëri-Finlandë, këto janë rrugët që do të bllokohen në kryeqytet

Policia e Shtetit ka njoftuar masat e marra për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë ndeshjes Shqipëri-Finlandë, e cila do të zhvillohet sot, më 12 nëntor, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.

Për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 12.11.2026, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, do të aplikojë kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.

Rrugët që do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes:

-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food-i “Laguna”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit;

-Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;

-Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;

-Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;

-Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje;

-Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;

-Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës (korridor hyrjeje për në parkimin e caktuar, vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja);

-Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;

-Te sheshi “Ëillson”, pak para përfundimit të ndeshjes, lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”.

Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për lëvizjen e mjeteve.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium të banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve dhe produkteve për përdorim kozmetik, si dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.