Skandali që tronditi Nvidia-n, bordi shqyrton shkarkimin e CEO-s Jensen Huang

Bordi drejtues i gjigantit teknologjik Nvidia po shqyrton mundësinë e largimit nga detyra të drejtorit ekzekutiv, Jensen Huang, raportojnë CBS News, si dhe disa media të tjera amerikane.

Aksionet e kompanisë kanë pësuar sërish rënie të ndjeshme, pas një raportimi të The Neë York Times, sipas të cilit Huang dyshohet se ka pasur një tjetër lidhje jashtëmartesore, këtë herë me një drejtuese të kompanisë së tij.

Të dielën, Huang pranoi se kishte pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me një grua të punësuar në një kompani tjetër, Alice Huang, për të cilën është ngritur gjithashtu dyshimi se mund të ketë qenë spiune kineze.

Nvidia kishte nisur më herët një hetim për marrëdhënien që Huang ka pranuar. Edhe FBI-ja po heton çështjen.

Nvidia është kompania e dytë më e vlefshme në botë dhe një nga aktorët kryesorë të industrisë së inteligjencës artificiale.

Ndërkohë Jensen Huang ka qenë një figurë kyçe në suksesin e Nvidia-s dhe gjetja e një pasuesi për të nuk do të jetë aspak e lehtë.

Marrëdhënia e ngushtë mes Donald Trump dhe Jensen Huang

Jensen Huang ka qenë një vizitor i shpeshtë në Shtëpinë e Bardhë gjatë presidencës së Donald Trump, madje së fundmi mori pjesë edhe në një darkë shtetërore të organizuar për nder të presidentit kinez, Xi Jinping.

Megjithatë, marrëdhënia mes tyre duket se shkon përtej angazhimeve zyrtare. Të dy kanë edhe numrat personalë të telefonit të njëri-tjetrit.

Të hënën, Trump deklaroi se sapo kishte biseduar me Huang, të cilin e përshkroi si një njeri që po kalon një periudhë të vështirë.

Presidenti tha se i kishte besuar atij kur ky i fundit ishte betuar se nuk kishte pasur «asnjë ide» që Alice Huang mund të ndante informacione me Kinën.

«Ai është një njeri i ndershëm dhe jam plotësisht i bindur se do t’i kalojë me sukses këto vështirësi», shtoi Trump.

Presidenti amerikan e ka vlerësuar vazhdimisht arritjen e Jensen Huang në drejtimin e Nvidia-s, duke i cilësuar ato si «të jashtëzakonshme». Çipat e kompanisë janë bërë gjithashtu një element i rëndësishëm në negociatat tregtare ndërkombëtare.