“Sot ndihem muxhahedin”, Berisha kërkon 1 minutë heshtje në Kuvend: Qeveria vrau në bukë një luftëtar lirie

Ish kryeministri Sali Berisha e ka quajtur masakër atë që ndodhi në kampin e MEK  dy ditë më parë. Ai ka kërkuar të mbahet një minutë heshtje në Kuvend për muxhahedinin që humbi jetën, si dhe ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi.

“Dënoj me ashpërsi më të madhe kërkoj futjen në rendin e ditës të masakrës që u krye në kampin e muxhahedinëve. Jam këtu për të deklaruar se në këtë moment ndihem një muxhahedin.

Luftëtar i lirisë. U shpreh atyre ndjenjat e mia më të sinqerta të mbështetjes dhe simpatisë. Ndihem sot muxhahedin sepse qeveria amorale e këtij vendi vrau në bukë dhe strehë të vet një luftëtar lirie. Aktakuza e djeshme që lexuam është historia më e turpshme për një vend. Aktakuza bazohej e tëra në shpifje dhe trillime të shërbimeve kundër luftëtarëve të lirisë. Aktakuza përmbante element të poshtërimit ekstrem të Shqipërisë dhe shqiptarëve sikur nuk është një vend anëtar i NATO por një vasal i Iranit. Kërkon një minutë heshtje për martirin e lirisë që ra. Ju ftoj të mbani një minutë heshtje”, u shpreh ai.

Berisha tha se aktakuza e prokurorisë përmbante elementë të poshtërimit ekstrem të Shqipërisë dhe shqiptarëve, sikur nuk është një vend anëtar i NATO-s, por sikur është një vasal i Iranit.

Deklaratës së tij iu përgjigj kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili tha se Berisha i përdor këto ngjarje për qëllime politike.

“Ky që bën sikur i dhemb barku për atë që po heton drejtësia shqiptare, bën të njëjtën gjë sa herë  heton drejtësia. Ky nuk mund të ndërhyjë në çështje që i takojnë drejtësisë. Ka ikur koha kur kuvendi ndërhynte tek punët e drejtësisë. Kjo është një çështje që policia ka zbatuar urdhrin e prokurorisë.

Në këtë këndvështrim ju lutem zonja kryetare, përdorimi për qëllime politike dhe një ngjarje si kjo ku një person ka humbur jetën, është dicka që ka 32 vite që ky vend e mirë fare mirë, që ky personi bën korbin e skifterin. Ne nuk mund të hedhim në votim diçka që nuk ekziston. Ecim përpara me çështjet e rendit të ditës”, tha Balla.