Sot afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit të ri, shtyhet sërish seanca plenare në Kosovë

Dita e sotme është afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës, teksa në rast se nuk do të ketë një kryetar të ri shteti, vendi do të shkojë sërish në zgjedhje parlamentare.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca për presidentin, që u ndërpre për të dytën herë brenda ditës, do të vazhdojë sërish në orën 19:00.

Ajo i bëri thirrje sërish opozitës për të marrë pjesë në seancën plenare, pasi në rast se nuk përmbushet kuorumi prej 80 deputetë pjesëmarrës në seancë, nuk mund të ketë zgjedhje për Presidentin.

“Në këto rrethana, për shkak të mungesës së opozitës dhe në përpjekje që ajo të jetë e pranishme në seancën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, si për obligimet kushtetuese ashtu edhe për interesin publik, ju njoftoj se kjo seancë vazhdon sot në orën 19:00”, tha Haxhiu.