“Ping Pongu” me emigrantët vazhdon! Të enjten pritet të mbërrijnë në Portin e Shëngjinit dy anije me emigrantë, në kuadër të marrëveshjes Shqipëri-Itali
Mediat raportojnë se anija e parë me 15 emigrantë pritet të mbërrijë rreth orës 15:00 dhe e dyta me 25 emigrantë rreth orës 19:00.
Ata do të vendosen përkohësisht në qendrën e pritjes në Gjadër. Ky fluks pritet të rritet, por konfirmohet se në vazhdim do të operohet me linjat ajrore për të sjellë emigrantët.
Ky proces synon menaxhim më të organizuar të emigracionit dhe lehtësim të procedurave të riatdhesimit për emigrantët pa dokumentacion të rregullt. Afati maksimal i qëndrimit në qendrën e Gjadrit do të jetë 18 muaj.
Kampi i Gjadrit, që aktualisht ka një kapacitet total prej 48 vendesh, por që do të zgjerohet në 144 në muajt në vijim do të presë emigrantët që janë subjekt i urdhrave të ndalimit të vlefshëm ose të zgjatur për riatdhesim, sipas ligjit italian.
Pas një pauze të funksionimit të qendrave pritëse në Shëngjin dhe Gjadër, drejtuesit e qendrave kanë rikontaktuar punonjësit që ishin pjesë e bashkëpunimit të parë për të rifilluar punën në këto kampe duke filluar nga enjtja.