Socialistët nuk zhgënjejnë Ramën, miratohet ngritja e Komisionit të Posaçëm Anti-korrupsion vetëm me votat e të majtëve

Me 74 vota pro dhe 6 kundër është miratuar ngritja e Komisionit të Posaçëm Anti-korrupsion. Ashtu sic ka ndodhur edhe me shumë projektligje të tjera, socialistët e miratuan komisionin vetëm me votat e tyre.

Ndërkohë 6 deputetë të opozitës votuan kundër. Këta të fundit janë: Lindita Metaliaj, Ervin Salianji, Ilda Dhori, Elda Hoti, Agron Shehaj dhe Albana Vokshi, ndërsa deputetët e tjerë nuk morën pjesë në votim.

Rikujtojmë se gjatë ditës së djeshme opozita zyrtarizoi qëndrimin duke thënë se nuk do të merrnin pjesë ne votimin për ngritjen e këtij komisioni, duke e cilësuar si një propagandë nga ana e kryeministrit Edi Rama.

Komisioni është konceptuar me 11 anëtarë, 6 nga PS dhe 5 nga opozita, ndërsa drejtimi do t’i besohet ish-ministrit Fatmir Xhafaj. Opozita do të ketë nënkryetarin e komisionit, punimet e të cilit pritet të zgjasin 10 muaj.