“Skenare të Edi Ramës”, Berisha flet për dhunën verbale ndaj deputetëve të PD dhe arrestimin e Dakos

Ish kryeministri Sali Berisha ka reaguar sot për arrestimin e Vangjush Dakos dhe për dhunën verbale të përdorur drejt deputetëve të PD-së, që nuk pranuan të votonin dje kryetarin e ri. Berisha tha se të dyja këto ngjarje ishin skenare me regji të Edi Ramës. Ai theksoi se mbështetësit e Bashës nuk kanë kursyer nga kërcënimet as gazetarët që bënin punën e tyre.

“Dënoj me forcën më të madhe gangsterët që kanë kërcënuar gazetarët të cilët kanë ndjekur gjithë natën një takim ku ka pasur deputetë dhe jo deputetë dhe në vend që të falënderohen për sakrificën e tyre, gazetarët janë përballur me sharje, me kërcënime rrugaçësh për fajin e vetëm se po bënin me sakrifica të vërteta detyrën e tyre. Nuk jam që tu sugjeroj cilin lajm do të ndjekin, por ata në asnjë rrethanë as nuk mund të fyheshin, as nuk mund të kërcënoheshin. Ata që mendojnë se do mbyllin problemet duket fyer dhe kërcënuar gazetarët janë gangsterë, rrugaçë. Po kështu dënoj kërcënimet që u janë bërë deputetëve, akte këto të një politike dhune të turpshme që ka në origjinë skenarët e Edi Ramës”, tha Berisha.

Ndërsa duke iu drejtuar ish kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dakos, i cili u arrestua dje me urdhër të SPAK, Berisha tha se ai e meriton por e gjithë kjo sipas tij bëhet po me regji të Edi Ramës, i cili vetëm pak ditë parë urdhëroi, sipas tij, lirimin e Saimir Tahirit.

“Organet e drejtësisë janë në kontroll të plotë të qeverisë. E ka marrë vesh çdo shqiptar se në Shqipëri ka drejtësi me regji dhe regjisori i saj është Edi Rama. Çdo ditë fakton dështimin e plotë të reformës së Sorosit në Shqipëri. Lirohet pas kërcënimeve serioze që i bëri Edi Ramës, Saimir Tahiri. Arrestohet njësoj si në romanet e Markezit, Gjush Dako. Njoftohet arrestimi i tij 4 ditë përpara. E bënë këtë për t’ia dhënë mafies në Dubai, ata e dinë. Por një mandat që përflitet 4 ditë rresht, dëshmon se çdo gjë ka këtu, por drejtësi nuk ka. Megjithatë, Gjushit një fjalë do i them, shkove si ai në vresht për kokë të Tahirit. E meriton plotësisht se je kriminel elektoral i dosjes 339. Por nuk është dënuar për këtë ai, as për pallatet që kushtuan dhjetëra jetë njerëz, u zgjodh me lezet padia për falsifikim dhe shpërdorim detyre. Megjithatë është se shkove si ai në vresht për kokë të Saimir Tahirit dhe mirë ta bënë,” tha Berisha.