Edi Rama dhe Vangjush Dako, a do i ndajë burgu dy miqtë e përjetshëm?

“Edhe nëse shkon në burg, Vangjush Dako do të mbetet miku im!” Kështu shprehej kryeministri Edi Rama pak vite më parë, kur ish-kryebashkiaku i Durrësit u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Ditën e djeshme Vangjush Dako u arrestua me urdhër të SPAK, ndërkohë që reagimi i menjëhershëm i kryeministrit Edi Rama këtë herë ishte ndryshe nga ai që ka bërë kur i janë arretsuar të tjerë njerëz të tij të besuar. Për Saimir Tahirin, Lefter Kokën dhe të tjerë të arrestuar, Rama shprehej se ai dhe PS nuk do të ishin mburojë për askënd, ndërsa dje u mjaftua me fjalët: “Më vjen mirë që drejtësia po ushtrohet edhe te njerëzit të lidhur me pushtetin”.

Por si ka lindur miqësia e Edi Ramës me Vangjush Dakon?

Vangjush Dako për herë të parë u zgjodh kryebashkiak i Durrësit në vitin 2007, si kandidat i zgjedhur pikërisht nga Edi Rama, atëherë vetëm në postin e kryetarit të PS-së. Ai do të ishte kryetari më jetëgjatë i bashkisë së Durrësit, pasi arriti të fitonte 3 mandate dhe të qeveriste qytetin për 12 vite.

Gjatë gjithë kësaj kohe lidhja e Dakos me Ramën u bë shumë e fortë. Rama nuk i kursente kurrë elozhet për Dakon, por edhe ky i fundit dinte mirë sesi ta bënte punën kur ishte koha për të mbledhur vota. Rama i besoi Dakos edhe drejtimin e qarkut për zgjedhjet e vitit 2017, ku ish-kryebashkiaku nuk e zhgënjeu, por mblodhi vota në të gjitha mënyrat e mundshme, madje duke bashkëpunuar edhe me grupet kriminale.

Vanjush Dako rezultoi i përgjuar në një sërë bisedash me vëllezërit Astrit dhe Altin Avdyli si pjesë e hetimit të njohur si “Dosja 339”, ata akuzohen dhe u gjetën fajtorë në Gjykatën e Posaçme për një sërë akuzash përfshi trafik narkotikësh. Dako i mohoi këto akuza, ndërkohë që pati edhe mbështetjen maksimale të kryeministrit Rama. Madje, në emisionin “Opinion” ai u shpreh” “I shikon këto duar ti, janë akullore këto”.

Në korrik të vitit 2019 Dako u përfshi në listën “non grata” nga DASH, i akuzuar për “korrupsion domethënës”. Pavarësisht se ai nuk mban asnjë funksion publik, ka qenë gjithmonë i akuzuar nga opozita se fshihet pas vjedhjeve të votave që bëhen në Durrës. Sipas opozitës, Dako është ai që merr vendimet edhe në Bashkinë e Durrësit.

Sot, qelia e burgut ka ndarë dy miqtë e përjetshëm, Edi Ramën dhe Vangjush Dakon. A do të vijojë Rama ta mbështesë, ashtu siç ka thënë, apo do e hedhë në “gojën” e drejtësisë, e cila tregohet e pamëshirshme me ata që s’kanë mbështetjen e kryeministrit.