SKANDALI/ Nga Amnistia përfituan edhe 2 të dënuarit për NXITJE TERRORIZMI

Miratimi i Amnistisë Penale me konsensusin e mazhorancës dhe opozitës, ka sjellë edhe lirimin e të dënuarëve nga GJKKO, pavarësisht se të dy kampet politike ishin zotuar se diçka e tillë nuk do të ndodhte.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) në një analizë të dhënash, bëri me dije se nga Amnistia kanë përfituar rreth 100 persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

“Nga ky përditësim i analizës, arrihet në përfundimin se janë rreth 40 persona të cilët mund të përfitojnë nga përjashtimi i dënimit dhe rreth 60 persona të cilët mund të jenë subjekt i përfitimit të uljes së dënimit sipas këtij ligji. Sipas të dhënave nga SPAK, në listën me 60 përfitues vetëm 8 janë për vepra penale që nuk përfshijnë korrupsionin apo funksionet publike. Këtu janë 5 të dënuar për kultivim e prodhim droge, 1 i dënuar për dhënie ndihme në kalimin e kufirit dhe 2 të dënuar të tjerë për thirrje dhe propagandë që nxit terrorizmin,” shkruan SPAK.

Pra, mes përfituesve nga Amnistia janë edhe 2 të dënuar për thirrje dhe propagandë që nxit terrorizmin. Një akuzë e tillë është shumë e rëndë dhe nuk do të duhej të amnistohej, por tashmë kjo ka ndodhur. Ndërkohë, pritet me interes cili do të jetë reagimi i ndërkombëtarëve për këtë çështje, të cilët kanë treguar se luftën ndaj terrorizmit e kanë parësore.

Pra, miratimi i Amnistisë Penale duke shtuar disa nene në ditën e fundit po tregon se ka qenë një vendim i gabuar, pasi hartuesit nuk kanë parashikuar të gjitha efektet prapavepruese që do të ketë kjo amnisti.

Sot ministri Ulsi Manja e pranoi se janë 8 të dënuar nga GJKKO që kanë përfituar nga amnistia dhe janë liruar, teksa u mundua të justifikohej se ata nuk ishin zyrtarë të lartë, pavarësisht se kishin bërë korrupsion me paratë e buxhetit të shtetit.