Ish-drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj është paraqitur në SPAK paraditen e sotme, ku ka qëndruar për 2 dy orë.
E akuzuar nga SPAK si pjesë e grupit kriminal në AKSHI, Karçanaj ndodhet me masë sigurie “arrest në shtëpi”.
Pas daljes nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, Karçanaj nuk ka ndaluar për të komunikuar me gazetarët.
Karçanaj akuzohet nga SPAK për veprat penale: “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Pjesë e kësaj dosje janë edhe dy biznesmenët e shpallur në kërkim, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.
Këta të fundit akuzohen se përmes pengmarrjes e shantazheve kanë detyruar Gerond Meçen të tërhiqej nga tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Kujtojmë se një ditë më parë ish-numrit dy të AKSHI-t Hava Delibashit iu zëvendësua masa e sigurisë e “arrestit shtëpiak”, në detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore dhe ndalim të daljes jashtë vendit pasi rezulton se është shtatzënë.