Skandali i tjetërsimit të pronave, SPAK po heton edhe guvernatorin Gent Sejko, BSH “mbyll dyert” për mikrofinancën e kredive të shpejta

“Banka e Shqipërisë ka vendosur të ndërmarrë një qasje të shtrënguar ndaj dhënies së licencave të reja për institucionet financiare të mikrokredive të shpejta. Burime nga tregu bëjnë të ditur se në dy vitet e fundit, disa aplikime të paraqitura nga subjekte të veçanta që mbështeteshin në plane biznesi të këtij lloji janë refuzuar nga Banka e Shqipërisë.

Këtu përfshihen edhe investitorë të huaj, siç është rasti i një prej subjekteve më të rëndësishme të mikrokredisë në Bullgari, Easy Credit. Banka e Shqipërisë ka argumentuar se nuk do të pengojë licencimin e institucioneve të reja financiare të kredidhënies, por modeli i biznesit të tyre nuk duhet të mbështetet vetëm te kreditë e shpejta, me norma shumë të larta interesi”, raporton Monitor.

Ky vendim vjen pasi Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka hapur një hetim për skemat piramidale të shoqërive të mikrokredive dhe tjetërsimin e pronave të qytetarëve shqiptarë.

Rasti fillimisht është ndjekur nga prokurori i Tiranës, Leonard Filopati, i cili pas disa muaj hetime konstatoi se çështja e mashtrimit dhe tjetërsimit të pronave përmes kredive, përmban elementët e një grupi të strukturuar kriminal, ku të përfshirë janë jo vetëm drejtues të shoqërisë “Micro Credit Albania”, “Final” dhe fondi “Besa”, por dhe një zinxhir përmbaruesish privatë.

Fijet e këtij grupi sipas prokurorisë së Tiranës shtrihen deri tek zyrtarët e Bankës së Shqipërisë, dhe tek Guvernatori Gent Sejko, të cilët duke “Shpërdoruar detyrën” kanë sjellë masa të parikuperueshme për jetën dhe pronat e mijëra personave.

Mësohet se SPAK i ka nisur një shkresë zyrtare Kadastrës Shqiptare, ku u kërkon çdo lëvizje dhe ndryshim pronësie që kanë bërë nga kërkesat e shoqërive të mikrokredive dhe përmbarusve privatë. Sipas ligjit, Kadastra nuk mund të bëjë asnjë ndryshim akti pronësie nëse nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë, ndaj rezulton se shumë zyrtarë të Kadastrës janë të përfshirë në këtë skandal.

Media Ditari ka zbuluar detaje nga dosja që tashmë SPAK disponon dhe të gjithë emrat e përmbaruesve dhe zyrtarëve që janë përfshirë në këtë skemë të llahtarshme mashtrimi.

Janë qindra praktika ekzekutimi që janë kryer brenda një dite, të cilat siç thotë prokuroria u kryen në mënyrë fiktive duke u marrë pronën qytetarëve të ndryshëm që kishin aplikuar dhe marrë shuma të vogla kredie.

Lista e emrave

Gent Sejko Guvernator i Bankës së Shqipërisë

Olsi dhe Elda Ibro pronarë të “Micro Credit Albania”

Andis Gjoka administrator i “Micro Credit Albania”

Arben Meskuti pronar i “Final”.

Vasil Bakallbashi administrator i “Final”

Përmbarues privatë

Lefter Cenaj

Helidon Xhindi

Fatos Alimadhi

Saimir Dogjani

Astrit Kaptelli

Rrok Deda

Altin Vako