Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka mbajtur një konferencë për mediat në lidhje me zgjedhjet që u zhvilluan nga Partia Demokratike për zgjedhjen e kryetarit të ri, ku në garë ishte i vetëm Sali Berisha.
Ai tha se shifrat janë manipuluar dhe në zgjedhje kanë marrë pjesë rreth 5 mijë anëtarë, dhe jo mbi 39 mijë siç pretendohet nga PD.
“Problemi në këtë rast nuk është vetëm një individ, jemi 36 vite pas rënies së diktaturës. Ka një brez tjetër, mendësi tjetër dhe përpjekja ime ka qenë që të shembim një model politik që është instaluar dhe po vazhdon të qëndrojë me forcë, ku nuk ka qarkullim elitash. Kemi nevojë për një PD ku zbatohen rregullat, ku gara është reale dhe ku askush nuk është mbi statutin. Çdo forcë politike që refuzon rinovimin, përfundon duke humbur mbështetjen qytetare. Kjo nuk është betejë për karrige personale, por për standarde dhe rikthimin e besimit tek demokratët dhe shqiptarët. Pjesa tjetër ishte që pjesëmarrja ishte minimale. Sipas monitorimit që kemi bërë në çdo degë nga demokratët që duan ndryshim, nuk kanë marrë pjesë më shumë se sa 5 mijë anëtarë”, tha Salianji.
Salianji thotë se Berisha është i braktisur dhe prandaj nuk pranon garë, teksa shton se mbi 80% e demokratëve janë të pakënaqur me gjendjen në të cilën ndodhet Partia Demokratike.
“Berisha është i braktisur dhe nuk pranon garë. Është hera e parë në 36 vite, edhe pse kemi propozuar ta ndryshojmë nenin e statutit dhe të hynim në garë me kushte të barabarta. Mbi 80% e demokratëve janë të pakënaqur me gjendjen që ndodhet PD. Jemi të zhytur në dëshpërim për shkak të pengmarrës që i ka bërë Berisha partisë për interesat personale. Do jetë përgjegjës cilido prej kolegëve që sot hesht. PD do jetë në fushatë për zgjedhjet elektorale, nuk e di si do dalin para demokratëve dhe si do ta bëjnë që të jetë fituese përballë Ramës.
PD ka nevojë për hapje ndaj të rinjve, intelektualë dhe kontributorëve që duan të japin energji të re. Gara duhet të ishte oksigjen për PD. Pa garë nuk ka meritokraci, nuk ka përgjegjësi. Fraksionet në PD nuk duhet të ishin problem, por zgjidhje”, u shpreh ish-deputeti.