Skandal në Mallakastër, dublime masive të numrave të amzës në gjimnaz, dyshohet për shitje diplomash

Një skandal i denoncuar nga emisioni “Fiks Fare”, ka hedhur dyshime se diplomat na gjimnazin “Dervish Hekali” në Ballsh janë blerë me para’.

 Emisioni denoncoi dublimin masiv të numrave të amzës në atë gjimnaz, ku “viktimë” e falsifikimit ka rënë edhe vetë drejtoresha e Zyrës së Arsimit Parauniversitar Mallakastër, Etilda Disha.

Denoncimi ka ardhur nga një qytetare, e cila e ka kuptuar çfarë po ndodhte në atë gjimnaz kur shkoi të konvertonte diplomën e saj, pasi jetonte në gjermani.

“Kam qenë në atë gjimnaz në vitet 1991-1995. Pas shkollës së mesme bëra edhe shkollën e lartë dhe u diplomova. Prej disa vitesh jetoj në Gjermani, ku këtë shkollë doja ta konvertoja në atë shtet” pohon Tatjana. Ajo ka shkuar disa javë më parë në gjimnazin “Dervish Hekali” për të marrë një vërtetim, por sekretarja dhe drejtori i shkollës i thanë se me numrin e amzës së saj del dikush tjetër.

Unë në vitin 2012 kam marrë një vërtetim dhe s’dilte askush. Do e kenë bërë më mbrapa. Ishte një vajzë në emrin tim, më e vogël se unë”, thotë Tatjana, teksa shton se “para disa ditësh më thanë se vërtetimin do të ma japin me shënim”. 

Ajo takoi sekretaren Nertila Agimi dhe drejtorin Vullnet Sadikaj, por as ata nuk kanë mundur t’i japin zgjidhje, ndërsa i kanë thënë se mënyra më e mirë është të hapë një proces gjyqësor.

“Nuk pranon, nuk di as unë çfarë të bëj. Për mua rruga më e shkurtër është kjo që thashë unë hap një proces gjyqësor, që mos të vonojë. Ne e kemi dërguar, po Zyra thjeshtë e përcjell lartë. Edhe Etilda Disha, drejtoresha (aktuale e ZVA-së Mallakastër) është te kjo anë, ka të njëjtin problem” pohon drejtori.