Si një përrallë, të pathënat e dasmës mbretërore mes Zogut dhe Geraldinës

Erald Kapri

Të dielën, më 27 Prill 1938, Mbreti Shqiptar Ahmet Zogu lidhi kurorë me konteshën hungareze Geraldina De Nagy Appony. Ceremonia e tyre e martesës u kthye në një lajm botëror dhe u shfaq në faqet e para të çdo gazete. Monarku mysliman i Ballkanit po martohej me një konteshë katolike. Por përtej shumë thashethemeve, lidhja e Mbretit Zog dhe Konteshës Geraldinë dukej si një përrallë.

Kontesha hungareze Teleki, e cila më herët kishte refuzuar të martohej me Zogun, udhëton drejt Shqipërisë me një fotografi me vete. Ajo i tregoi Mbretit Zog fotografinë e Konteshës Geraldinë Apony, një vajzë 22 vjeçare, e cila punonte në Muzeun e Budapestit. Familja e saj ishte ndër fisniket e vjetra hungareze, e kishte humbur rëndësinë e saj ekonomike dhe politike, por sërish mjaft e respektuar. Mbreti Zog pranon ta takojë dhe e fton Geraldinën në festimet e Vitit të Ri 1938 në Pallatin Mbretëror shqiptar.

Në atë mbrëmje, ata  vallëzuan së bashku në vigjilje të vitit të ri në mbrëmjen e organizuar në oborrin mbretëror. Dëshmitë e kohës flasin për një dashuri me shikim të parë. Ahmet Zogu shpall fejesën me Geraldinën brenda muajit dhe dasma vendoset të bëhet sa më shpejt, në fund të prillit 1938. Ky vendim ngjalli xhelozi të mëdha, duke nisur nga italianët që kishin bërë shumë për ta martuar me një fisnike italiane. Nga zemërimi, italianët i refuzuan një kredi Shqipërisë.

Mbreti Zog ishte në kulmin e pushtetit të tij. Ekonomia në Shqipëri kishte filluar të gjallërohej pas krizës së madhe dhe në vend nuk kishte më shenja revoltash. Marrëdhëniet me të gjithë fqinjët ishin më normale se kurrë. Monarku i shqiptarëve kishte shpallur fejesën me Geraldina Apony, vajzën e një konti hungarez, një prej familjeve fisnike të vjetra nga ish-perandoria më e madhe evropiane. Mbreti i fundit i vetëshpallur i Evropës po bëhej gati të ishte pjesë e “klubit blu” dhe martesa do t’i siguronte dinastinë.

Dasma e monarkut shqiptar me Geraldinën u kthye në lajmin e ditës në shtypin evropian. Tirana u dyfishua në ditët e fundit të prillit 1938 me njerëz të ardhur ngado, për të qenë të pranishëm në ngjarjen e madhe. Të ftuarit, dëshmitarët dhe dhuratat për çiftin mbretëror ishin dëshmi e fuqisë së Zogut. Por me kulmin e tij, filloi rënia.

Ministri i Jashtëm italian, Konti Galeaco Çano (Galeazzo Ciano), ishte dëshmitari i Mbretit Zog dhe bashkë me Dukën e Bergamos, si përfaqësues i monarkëve të Italisë, ishin dy të ftuarit më të rëndësishëm. Çano, dhëndri i Musolinit, ishte mjaft ambicioz në politikë të jashtme. Një vit më parë ai kishte arritur një marrëveshje me Jugosllavinë, çka e bënte politikën italiane disi të paqartë ndaj Shqipërisë.

Gjatë dasmës, Çano u ndie i fyer nga motrat e Zogut, të cilat i vunë në dukje që vëllai i tyre nuk u martua me një çupëlinë italiane. Ish-hegjemonia austriake e manifestuar kaq hijshëm në shijet e Mbretit Zog, lirshmëria e motrave të Zogut dhe mundësia e rivendosjes së ndikimit austriak në Ballkan përmes gjermanëve, e “tërboi” Çanon.  Tashmë nevojitej një politikë kokëfortë me Shqipërinë, përndryshe ndikimi italian do të humbiste. Gjermanët sapo kishin aneksuar Austrinë, ish-perandorinë e dikurshme, që kishte lënë gjurmë në Ballkan e më së shumti te monarku i shqiptarëve.

Dasma u kthye në eventin më të madh që kishte pasur Shqipëria. Në të gjitha qytetet u kryen festime dhe shumë çifte të reja u martuan me shpenzimet e Mbretit. Ndërkohë, Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë u mbush si asnjëherë tjetër me të huaj që kishin ardhur për martesën mbretërore. Hotelet e paktë të kryeqytetit qenë rezervuar për të ftuarit e Mbretit dhe 79 fotografët e gazetarët e ardhur nga e gjithë bota.

Martesa e Mbretit dhe Geraldinës u krye nga kreu i Parlamentit ndërkohë që Papa i Romës nuk e dha bekimin e kësaj martese. Por pavarësisht kësaj, çifti mori urimet nga shumica e krerëve botërore të shteteve, pa munguar dhuratat e shumta. Presidenti Francez dërgoi një set porcelain të rrallë, Mbreti i Italisë statuja antike prej bronzi, Musolini i Italisë dërgoi disa vazo që i përkisnin Napoleonit.

Dhurata më interesante erdhi nga Hitleri. Diktatori gjerman dërgoi një Mercedes kabriolet të kuq të bërë me porosi, të njëjtën dhuratë që i kishte çuar edhe Stalinit për ditëlindje. Mbreti Zog e përdori menjëherë dhuratën pas përfundimit të dasmës dhe se bashku me Geraldinën i hipën makinës për t’u tërhequr në vilën mbretërore buze detit në Durrës.

Shumë prej këtyre dhuratave qëndruan në Shqipëri pas ekzilit të familjes mbretërore në Europë dhe kurrë nuk u morën nga Geraldina. Fati i tyre nuk dihet.

Pasuria e Mbretit Zog pas largimit nga Shqipëria u kthye në një objekt të shumtë thashethemesh, kuriozitetesh e spekulimesh, prej të cilave nuk shpëtuan as mediat serioze perëndimore. Kureshtja për këtë monark nga vendi më romantik i Europës ishte e madhe, sidomos kur u mësua se ai udhëtonte bashkë me pasurinë e tij. Interesi ishte aq i madh, sa thuajse në çdo intervistë me gazetarët perëndimorë, Zogut i kërkohej të fliste diçka më tepër rreth pasurisë së tij.

Autorë të shumtë kanë spekuluar gjithashtu, dhe 80 vjet pasi Mbreti Zog la vendin, është sërish e vështirë të llogarisësh pasurinë e tij të plotë, kjo për shkak se i vetmi që ia dinte vlerën, ishte vetë ai. Por falë dokumentacionit dhe kërkimeve sot mund të thuhet se cila ka qenë me përafërsi pasuria në mërgim.

Pasuria e Mbretit Zog përbëhej nga ajo familjare e trashëguar, shitja disa herë e një zone pyjore, nga kursimet e tij të përfituara gjatë qeverisjes, llogaria mbretërore në thesarin e shtetit, të marrë me vete pas pushtimit të Shqipërisë, objektet e çmuara në bizhuteri të familjes, disa dhurata të çmuara nga dasma, dy llogari të fshehta bankare në Britani dhe një përfitim i konsiderueshëm financiar që u mor pas shkatërrimit të valixheve gjatë rrugës për në Angli.

Në tërësi, pasuria e Zogut, gjatë luftës dhe pas luftës, ndryshoi. Ai e ruajti pjesën e florinjtë të paprekur gjatë pjesës më të madhe të kohës. Pas lufte vlera e arit u rrit ndjeshëm, çka kompensoi shumë prej shpenzimeve të bëra gjatë luftës. Duke njohur pjesën e llogarive bankare prej 50 mijë sterlinash, 82.408 dollarësh si dhe kompensimin prej 51.500 paundësh për dëme lufte (të cilën e mori në vitin 1945), pa llogaritur pjesën e arit apo bizhuteritë e familjes, shifra u afrohet 10 milionë eurove, me vlerën e sotme.

Geraldina u largua nga Shqipëria me 7 prill 1939 me djalin e saj të mitur të lindur dy ditë më parë. Së bashku me Zogun, ajo jetoi gjithë jetën e saj në mërgim. Mbreti Zog vdiq në Paris në vitin 1961. Geraldina u rikthye në Shqipëri në vitin 2003 bashkë me familjen mbretërore. Ajo jetoi vetëm pak muaj dhe u varros në Tiranës, sipas dëshirës së saj. Emri dhe kujtimi i saj është mjaft i respektuar mes shqiptarësh ende në ditët e sotme.