3 menaxherët e kioskave te sheshi “Skënderbej” marrin peng dhe dhunojnë barbarisht të riun derisa i bie të fikët

Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë ku një 20 vjeçar ishte marrë peng në sheshin “Skënderbej” dhe më pas ishte dhunuar barbarisht nga tre persona.

Mësohet se autorë janë menaxherët e kioskave te sheshi “Skënderbej”, të cilët kanë dalë me minus në xhirot e fitimeve të një natë më parë ku mbahej një koncert.

Ata kanë nisur presionin ndaj punonjësve, duke pretenduar se u janë vjedhur shuma të mëdha parash, ndërsa të riun, punonjës në një prej kioskave e morën peng.

Denis Baxhaku, Ermand Hoxha dhe E.P e kanë marrë zvarrë të riun, e kanë futur në një kamion dhe e kanë dhunuar. Madje për shkak të dhunës, 20 vjeçari ka humbur ndjenjat dhe i ka rënë të fikët.

2 prej dhunuesve janë arrestuar, bashkë më Teo Kolemiço që ka pasur dijeni për ngjarjen, por nuk e denoncoi.

Në kërkim vijon të jetë njëri prej dhunuesve.

Njoftimi i policisë:

I hoqën lirinë një shtetasi dhe ushtruan dhunë ndaj tij, arrestohen 2 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.

Gjithashtu, u arrestua 1 shtetas tjetër që ka patur dijeni për ngjarjen, por nuk e ka kallëzuar në Polici.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas kallëzimit të marrë ditën e sotme nga një 20-vjeçar, se 3 shtetas i kishin hequr lirinë dhe kishin ushtruar dhunë ndaj tij, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tyre.

Si rezultat:

– u arrestuan shtetasit D. B., 36 vjeç, dhe E. H., 31 vjeç, dhe u shpall në kërkim shtetasi H. P., 19 vjeç, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”;

– u arrestua shtetasi T. K., 28 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Shtetasit D. B., E. H. dhe H. P., dyshohet se për motive të dobëta, kanë marrë me forcë në sheshin “Skënderbej”, një 20-vjeçar, ndaj të cilit kanë ushtruar dhunë në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa shtetasi T. K. ka patur dijeni për ngjarjen, por nuk e ka kallëzuar atë në Polici.