Si lindi industria e influencuesve, që arkëton 20 miliardë dollarë në vit

Nga Eleonora Barbieri “Il Giornale”

Sipas një sondazhi të vitit 2019, 86 për qind e amerikanëve midis moshës 13-38 vjeç do të ishin të gatshëm të publikonin përmbajtje të sponsorizuar në këmbim të fitimit të parave.

Sot, kjo përqindje ndoshta është rritur më tej.                                             

Pra rreth 9 nga 10 amerikanë do të bëheshin me dëshirë influencues. Një profesion i lindur në fillim të mijëvjeçarit të ri, që ka pasur bumin e parë që nga viti 2008 dhe aq më tepër që nga vitet e pandemisë së Covid-it e në vazhdim.

Si dhe pse ndodhi kjo shpjegohet nga Emili Hund, studiuese në Qendrën për Kulturën dhe Shoqërinë Dixhitale në Universitetin e Pensilvanisë dhe konsulente për grupet industriale, akademike dhe qeveritare, në një libër që është rezultat i investigimeve dhe studimeve 7-vjeçare dhe intervistave të shumta me njerëz të sektorit.

Sipas Hundi “ekonomia e influencerave është shfaqur si një qendër pushteti e lidhur me shpërblime ekonomike dhe sociale konkrete, dhe e ngritur mbi një rrjet të dominuar nga mediat sociale dhe imazhet”. Por nuk është vetëm aspekti ekonomik, i cili është shumë i rëndësishëm.

Në të trajtohet edhe një çështje më sociale e antropologjike, së cilës i referohet nëntitulli, “Kërkimi i origjinalitetit në mediat sociale”. Është ajo që Hund e quan “filozofia e industrisë së influencuesve”, ose “ideja që çdokush mund të kultivojë një audiencë besnike duke ofruar përmbajtje të qëndrueshme, të ngjashme në mediat sociale, dhe më pas të përdorë pëlqimet, ndjekjen dhe metrika të tjera të angazhimit për atë audiencë, si dëshmi të një ndikimi që mund të përdoret për të marrë një sërë shpërblimesh sociale dhe ekonomike, shumë prej të cilave mund të arrihen përmes bashkëpunimit me markat tregtare dhe përmes përzierjes së mesazheve të tyre me të vetët”.

Shfrytëzimi i një imazhi publik që duket “autentik”, është një strategji e vjetër dhe tipike amerikane. Po si u bë kaq i suksesshëm? Sipas rindërtimin të historisë që bën Hund në librin e saj, rreth vitit 2008 u krijua një kombinim faktorësh: kriza e kredive për shtëpi, kolapsi i një sistemi ekonomik, mosbesimi që pasoi ndaj institucioneve të konsoliduara, dhe kërkimi i informacionit që pësoi një rritje në një drejtim të ri.

“Njerëzit ishin të uritur për përmbajtjen. Por ajo duhej të vinte nga burime që ishin reale, dhe që të tregonin se i kuptonin gjërat në një mënyrë thellësisht të ndryshme nga kompanitë e mediave kombëtare dhe globale me bazë në Nju Jork”.

Gjithçka nisi me blogjet për të kaluar më pas tek rrjetet e tjera sociale si p.sh Instagram, TikTok, YouTube. Dhe sigurisht që në krahasim me mediat e tjera, problemi i përzierjes me markat apo një distancë e caktuar nga përmbajtja është kryesisht i tejkaluar. Por parë në këtë kontekst, kjo përbën paradoksalisht një avantazh.

Sepse stili i jetesës është zona në të cilën influencuesit ushtrojnë fuqinë e tyre për të ndikuar, dhe pikërisht aty zbulojnë se mund t’ia dalin mbanë në një kohë vështirësish ekonomike globale, për më tepër: “Kur blogerët dhe influencuesit e parë hoqën dorë nga pavarësia e tyre për të pasur në këmbim një jetë të mirë-planifikuar, kjo i ndihmoi edhe për krijimin e një industrie të mediave dixhitale me rritje të shpejtë, e interesuar për fitimin e parave nga një jete autentike, në vend se ta mishërojë atë”.

Kjo me ndihmën e një bote të mesme, atë të ndërmjetësve, agjencitë e krijuara posaçërisht për të bashkuar kompanitë që kërkojnë reklama dhe influencuesit që kërkojnë sukses. Ja disa të dhënë të kësaj rritjeje dhe monetarizimi: në vitin 2016, të ardhurat nga marketingu i influencerve u vlerësuan në 570 milionë dollarë vetëm në Instagram dhe 1 miliardë në përgjithësi. Dhe pritej që deri në 2019-2020, sektori të zgjerohej në 8 miliardë dollarë, dhe të dyfishohej brenda 3 viteve të ardhshme.

Në fakt, shifrat më të fundit për tregun e këtij marketingu nga Raporti i Benchmark mbi Marketingun Dixhital flasin për një vlerë prej 21.1 miliardë dollarësh për vitin 2023, me një rritje prej 28 për qind në vitin 2022, dhe 52 për qind në vitin 2021.

Vetëm për Italinë, vlera e këtij tregu është rreth 1 miliardë dollarë. Për sa u përket ndikuesve kryesorë, 50 më të ndjekurit dhe të paguarit në planet, mburren me 2.6 miliardë ndjekës në rrjete të ndryshme sociale. Dhe vetëm në vitin 2023, ata arkëtuan 700 milionë dollarë fitime (570 milionë në vitin 2022).

Siç e shpjegon Hund, “tarifat” e influencuesve janë shumë të ndryshueshme. Nëse dikush që ka 150 mijë ndjekës mund të jetë më i vlefshëm për një klient të caktuar sesa dikush që ka 2 milionë ndjekës (madje ka edhe influencues të veçantë “mikro” dhe “nano”), ekzistojnë edhe disa vlerësime standarde.

Një person me 100 mijë-500 mijë ndjekës, mund të fitojnë 2.000-5.000 dollarë për një postim në Instagram. Ata me 500 mijë deri në 1 milionë ndjekës, mund të fitojnë 4.000-10.000 dollarë. Ata me më shumë se një milionë ndjekës, kërkojnë të paktën 4.000 dollarë për një postim, por ndonjëherë edhe 15 mijë dollarë.

Një agjent marketingu e pranon: “I kemi ofruar disa të famshmëve deri në 30 mijë dollarë për një postim në Instagram”… Për më tepër, të dhënat thonë se 92 për qind e konsumatorëve u besojnë më shumë influencuesve sesa reklamave tradicionale apo këshillave të VIP-ave.

Glorifikimi i këtij sektorit erdhi në vitin 2015, kur Shkolla e Biznesit e Harvardit u mor me blogun e Chiara Ferragnit “The Blonde Salad” si një rast studimor: “Duke qenë në gjendje të mburrej me miliona ndjekës në Instagram, reklamues të profilit të lartë, bashkëpunime me marka si Gucci dhe Louis Vuitton dhe disa kopertina të revistave më prestigjioze ndërkombëtare, Chiara Ferragni u njoh gjerësisht si një nga influencerët kryesorë në botë”.

Kjo ka qenë e vërtetë deri para disa muajsh me skandalin e panetoneve të Krishtlindjeve.

Por, megjithatë ka disa probleme. Për shembull, ka nga ata që përfundojnë si një nga blogerët e parë të suksesshëm, Tavi Gevinson: “Unë nuk besoja më në pastërtinë e qëllimeve të mia që kur u bëra edhe menaxheri shitjeve të mia”. Autenticiteti i shitur ndaj publikut ka çmimin e vet. Dhe pastaj është shumë shqetësues transformimi “nga një industri e përqendruar tek ajo që blini, në një industri që kujdeset për atë që mendoni”.

Nga pazari tek politika dhe ideologjia, hapi në këtë drejtim është hedhur tashmë. Dhe këtu ngrihet pyetja: A mundemi ne si qytetarë, t’i mbijetojmë breshërisë së vazhdueshme të informacionit të ofruar nga specialistë të vetëshpallur, të cilëve u është dhënë fuqia për ta bërë këtë nga një ekosistem mediatik i dominuar nga të famshmit, i drejtuar nga komercialiteti, dhe që gjithashtu ndërmjetëson lidhjet tona personale dhe vetë-shprehjen.

Pra një nga industri që është realisht jashtë kontrollit? Ashtu si çdo treg i ëndrrave, edhe tregu i influencuesve ka anën e tij të errët. Kjo ndodh kur njerëzit fillojnë që të shkëlqejnë si mallrat që ata shesin.