Alarm në aeroportet evropiane, disa avionë në shënjestër të kërcënimeve për bomba

Dy avionë të kompanisë ajrore Ryanair janë kontrolluar pas uljes në Romë, pas një serie kërcënimesh të dyshuara për bomba ndaj disa fluturimeve në Evropë.

Njëri prej avionëve, që kryente një fluturim nga Dublini drejt Romës, është shoqëruar nga Forcat Ajrore Italiane deri në momentin e uljes.

Ndërkohë, më herët, edhe katër avionë të tjerë kishin zbritur në aeroporte të ndryshme evropiane, pasi ishin bërë objekt i kërcënimeve të ngjashme për vendosjen e bombave.

Dy prej këtyre fluturimeve iu nënshtruan kontrolleve në Varshavë të Polonisë. Njëri prej avionëve ishte nisur nga aeroporti Heathrow i Londrës.

Një tjetër avion, i cili ishte nisur nga Mançesteri, u kontrollua në Murcia të Spanjës. Një zyrtar lokal deklaroi se gjatë kontrollit nuk u gjetën lëndë shpërthyese në bord.

Një pasagjere që udhëtonte me avionin nga Mançesteri drejt Murcias në Spanjë ka treguar se nuk ishte në dijeni të kërcënimit të dyshuar për bombë deri në momentin kur avioni u ul.

“Gjatë fluturimit nuk na informuan për asgjë. Avioni ndaloi krejt papritur dhe më pas na mbajtën në pistë për rreth 30 minuta”, rrëfen Sarah për BBC 5 Live.

Ajo tregon se pak më vonë në vendngjarje mbërritën zjarrfikëset dhe skuadra antieksploziv, ndërsa pasagjerëve iu kërkua të evakuoheshin.

“Sapo avioni ishte ulur, nuk kaloi as një minutë kur u rrethua nga automjetet zjarrfikëse, policia dhe skuadra antieksploziv”, shprehet ajo.

Sipas pasagjeres, udhëtarët u shoqëruan nga policia dhe u detyruan të ecnin nga pista drejt terminalit të aeroportit, duke lënë të gjitha sendet personale në bordin e avionit.

“Vetëm më vonë na thanë se bëhej fjalë për një kërcënim real të raportuar, konkretisht për vendosjen e një bombe në avion”, shton Sarah.

Ndërkohë, të hënën, një avion që kryente itinerarin Londër Luton–Sofje u detyrua të kryente një ulje emergjente në Budapest, pas një kërcënimi për bombë.