Si i dolën për zot Rama e Veliaj inceneratorit të Tiranës me pronarët në kërkim për korrupsion

Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i kanë dalë për zot disa herë inceneratorit të Tiranës, ndonëse prej 1 viti pronarët e tij ishin në kërkim për korrupsion.

Kreu i qeverisë Rama, në dëshminë e tij në komisionin hetimor parlamentar në shkurt 2022, tha se ai firmos shumë shkresa dhe se nuk mund ti shikojë të gjitha. Por ai u shpreh krenar për inceneratorët. 

“Makineria shtetërore ka bërë perfekt punën në vendimmarrje”, tha Rama në komision, kur iu vu në dukje se dhjetëra vendime ishin bërë brenda ditës. 

“Këto projekte janë një nga krenaritë e mia si Kryeminisër dhe kjo nuk ka pikë dyshimi”, tha Rama. 

Ai shtoi se deri në 2013 ekzistonte vetëm një pikë grumbullimi e mirëmanaxhuar në Bushat dhe pastaj ishte Sharra, si një bombë ekologjike dhe 50% e popullatës shqiptare nuk kishte asnjë shërbim për asgjësimin e mbetjeve. 

“Unë nuk merrem me procedura, udhëheq revolucionin mjedisor. Për procedurat kanë një zinxhir njerëzish që i dinë mirë kompetencat e tyre. Kryeministri është për të thënë ku do shkojmë, çfarë do bëjmë dhe si do e bëjmë ulen të gjithë dhe secili merr detyrat”, shtoi Rama.

Kryebashkiaku Veliaj është mbrojtur më fort madje me kundërsulme. Kur pyetej se kush janë pronarët e vërtetë të inceneratorit, ai thoshte “Cili është në kërkim dhe kush është pronari s’është problemi im”.

Kur pyetej pse paguante një projekt që nuk egzistonte, me pronarë në arrati, Veliaj thoshte se Tirana është më e pastër nga plehrat dhe ky fakt mjaftonte pët të.

“Ka një supervizor privat, sot është në burg, se ai duhet ta kontrollonte. Kontratën ka detyrë supervizori ta monitorojë. A është Tirana më e pastër? A paguajmë më pak, kaq i intereson qytetarët”, ka thënë ai.

Në lidhje aktin e firmosur prej tij, Veliaj tha në Euronews, në emisionin Now se “unë çoj mbi 10 mijë shkresa në vit”, duke iu shmangur pyetjes. 

Më tej, kryebashkiaku është shprehur gjithnjë kundër ndërprerjes së kontratës me koncesionarin e inceneratorit të Tiranës, duke argumentuar se çështja rrezikon të shkojë në Arbitrazh duke sjellë pasoja financiare për vendin.

Ende nuk ka një faturë financiare se sa dëm shkaktoi inceneratori i Tiranës por besohet se shifra i kalon 100 milionë euro, shumica para të taksapaguesve shqiptarë.