Në Komisionin e Ligjeve sot është diskutuar projektligji për kanabisin mjekësor, temë e cila është shoqëruar me debate.
Ka qenë deputetja e PD Albana Vokshi e cila ka kundërshtuar përfaqësuesit e grupit të interesit duke ju thënë se është e pamundur të kontrollohet droga pasi do të futen në mes grupet kriminale.
“Besoj se të gjithë që jetojmë në Shqipëri situatën e rendit, mundësitë e kontrollit nga ana e lizgjzbatuesve, apo dhe kanabizimin e territorit të vendit. Çdo biznesmen kërkon që të fitojë se ndaj i ka hyrë biznesit, mund të ndodhë që të jemi si në rastin e Maqedonisë së Veriut. Të dalin përtej politikës, por më shumë si nënë, mendoj se tani nuk është momenti për këtë nismë. Mendoj se më vonë duhet të shihet kjo gjë. Si prind, si qytetar i këtij vendi jeni dakord që të aplikohet kjo nismë? Si do të kontrollohet kjo nismë”, është shprehur Vokshi.
Por përfaqësuesi i grupit të interesit u shpreh se është vetë prind dhe përpara biznesit ai ka jetën e dy djemve.
“Nuk më intereson asnjëlloj biznesi që do të afektonte jetën e tyre. Por ne nuk po dallojmë dot dallimin midis kanabisit ose kërpit industrial ose kanabisit industrial dhe atij mjekësor. Nëse ky kanabis do të përdorej si drogë është fare i papërfillshëm niveli 0.2, 0.3 %, pra ndikimi është fare i dobët. Rreziku i vetëm është që në mes të kërpit të mbjellësh rrënjë kanabis” është shprehur ai.
Por Vokshi u përgjigj se nuk e kuptonte se si do të kontrollohej. Ajo theksoi se është ulur mosha që përdor kanabis. Ajo madje u përplas me një nga deputetët e PS i cili ndërhyri për ta kundërshtuar.
“Se mund të futen në mes grupet kriminale në këtë çështje. A mund të flas unë? Të bëj një pyetje? Shitet droga hapur në mes të ditës nëpër shkolla dhe ju thoni që hajde ta aplikojmë. Kujdes kur flet me mua kështu! Kur flas unë më dëgjo. Më etikë!”, tha Vokshi.