Shtyhet sërish gjyqi i Fatmir Mediut, me kërkesë të SPAK

Gjykata e Posaçme ka shtyrë sërish seancën gjyqësore për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu në lidhje me çështjen “Gërdeci”.

SPAK ka kërkuar kohë që të verifikojë prokurat.

“Prokurat janë bërë të viteve të ndryshme, nga viti 2011. Nuk ka asnjë lloj problemi sepse janë procese gjyqësore që zgjasin”, tha avokati Dorian Matlija i cili përfaqëson familjarët e dëmtuar.

Në total janë rreth 290 persona të dëmtuar, por në seancën e sotme vetëm 109 prej tyre janë përfaqësuar në seancë përmes avokatit Dorian Matlia, i cili ka paraqitur edhe prokurë përfaqësimi.

Mësohet se seanca e radhës për çështjen “Gërdeci” do të zhvillohet më 7 korrik.

Mediu akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “për shpërdorim detyre në bashkëpunim me kuadër komandues ushtarak” lidhur me dosjen e shpërthimit në Gërdec.

Kujtojmë se Mediu ka kërkuar gjykim të shkurtuar, por SPAK ende nuk e ka shpallur pretencën për të akuzuarin.