Shtyhet për në 2025 lançimi i sistemit ETIAS, a është ky një ndëshkim nga BE për Kosovën?

Shtyhet sërish data e lançimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS).

Ndërsa deri më tani, BE-ja vazhdimisht ka pretenduar se ETIAS do të bëhej funksional nga mesi i vitit 2024, një zyrtar i BE-së ka konfirmuar për SchengenVisaInfo.com se data e hyrjes në jetë për ETIAS tani është shtyrë për në maj 2025.

Kujtojmë se data e lancimit të ETIAS lidhej me liberalizimin e vizave për Kosovën. Kjo pasi me vendimin që u publikua në Fletoren Zyrtare të BE, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hynte në fuqi në momentin që ETIAS do të bëhej funksional.

Pikërisht mundësia e bllokimit të procesit të vizave për Kosovën, i ka shtyrë disa vende të BE-së që të insistojnë për të pasur datë për këtë process. Por ndërsa u shty disa herë për në 2024, tani duket se qytetarët e Kosovës do të presin për të udhëtuar pa viza të paktën deri në 2025. Ky vendim vjen pas disa penalizimeve që Bashkimi Europian ka marrë kundrejt Kosovës për mosmarrëveshjet me procesin e Asociimit.

Sistemi i hyrjes/daljes (EES) është një sistem tjetër i sigurisë kufitare të BE-së, një sistem i automatizuar IT që, në të ardhmen, do të regjistrojë udhëtarët nga vendet e treta sa herë që kalojnë një kufi të jashtëm të BE-së. Sistemi është shtyrë vazhdimisht krahas ETIAS.

Të dy sistemet janë të lidhura thellësisht. Megjithëse Hyrja/Dalja mund të funksionojë siç duhet pa ETIAS, është e pamundur që ky i fundit të bëhet funksional pa EES.

Shtyrja e ETIAS është konfirmuar edhe nga Ministria e Jashtme franceze. Sipas të njëjtës, nisja e ETIAS është planifikuar për vitin 2025, pa specifikuar një periudhë më të saktë se kur duhet të ndodhë kjo.