Kodi Doganor ndryshon, lehtësohen sanksionet për bizneset

Bizneset me detyrime të papaguara në dogana pritet të kenë një kufi maksimal për kamatvonesat që mund t’u ngarkohen. Projektligji i ri për ndryshimin e Kodit Doganor parashikon që shuma e kamatvonesës nuk mund të jetë më e lartë se vetë detyrimi i importit ose eksportit mbi të cilin ajo llogaritet.

Ky është një nga ndryshimet me ndikimin më të drejtpërdrejtë financiar për bizneset në paketën e re ligjore. Në relacionin shoqërues, Ministria e Financave argumenton se vendosja e këtij tavani synon të lehtësojë pagesën e borxhit për debitorët dhe të krijojë një nxitje që borxhi doganor të shlyhet.

Ndryshimi nuk do të ketë efekt prapaveprues për çdo detyrim ekzistues. Projektligji përcakton se neni që vendos kufirin e kamatvonesës do të zbatohet për vendimet që autoritetet doganore marrin pas hyrjes në fuqi të ligjit.

Më pak subjektivizëm

Një tjetër pjesë me rëndësi për bizneset është rishikimi i dispozitave për shkeljet doganore. Relacioni pranon se gjatë zbatimit të Kodit aktual janë evidentuar paqartësi dhe interpretime të ndryshme nga strukturat doganore dhe audituesit.

Projektligji shfuqizon disa përcaktime që ishin të parashikuara në më shumë se një dispozitë. Sipas relacionit, kjo synon të heqë mundësinë e subjektivizmit në aplikimin e sanksioneve.

Në disa nene ndryshon edhe kriteri mbi të cilin vlerësohet shkelja. Në vend të formulimit nëse shkelja “ka të bëjë me mallrat”, propozohet që të përcaktohet nëse ajo “sjell diferenca në pagesën e detyrimeve që duhen paguar”. Për kundërvajtjet e tjera, rastet ndahen më qartë në shkelje me efekt financiar dhe pa efekt financiar.

Kodi përcakton gjithashtu se sanksionet për mosrespektimin e legjislacionit doganor duhet të jenë “efektive, proporcionale dhe dekurajuese”. Sanksioni administrativ mund të jetë pagesë monetare, ndërsa në raste të tjera mund të përfshijë revokimin, pezullimin ose ndryshimin e një autorizimi të mbajtur nga subjekti.

Ndryshojnë rregullat e ankimit

Projektligji riformulon edhe të drejtën e ankimit ndaj vendimeve të Doganave. Çdo subjekt që preket drejtpërdrejt dhe individualisht nga një vendim doganor do të ketë të drejtë ankimi. Këtë të drejtë do ta ketë edhe një subjekt që ka aplikuar për një vendim, por nuk ka marrë përgjigje brenda afatit ligjor.

Kur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është organi më i lartë administrativ, ankimi mund të bëhet brenda 15 ditëve nga njoftimi, ndërsa Doganat duhet të vendosin brenda 30 ditëve. Kur vendimi është marrë nga vetë Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, subjekti mund t’i drejtohet gjykatës brenda 45 ditëve. Për vendimet që shoqërohen me borxh ose sanksion doganor vazhdojnë të zbatohen procedurat specifike të parashikuara në Kod.

Lehtësi për garancitë deri në 1,000 euro

Ndryshime parashikohen edhe për garancitë doganore. Autoritetet doganore do të mund të heqin dorë nga kërkesa për depozitimin e garancisë për mallra me natyrë tregtare, kur vlera e tyre nuk kalon ekuivalentin e 1,000 eurove ose pesha neto është deri në 1,000 kilogramë. Mundësia parashikohet gjithashtu për mallrat me natyrë jotregtare.

Projektligji zgjeron edhe njohjen e statusit të Operatorit Ekonomik të Autorizuar (AEO), duke lejuar njohjen e operatorëve të vendosur jashtë Shqipërisë, kur ekziston reciprociteti dhe marrëveshja përkatëse ndërkombëtare. Relacioni e lidh këtë masë me lehtësimin e tregtisë dhe rritjen e besueshmërisë së zinxhirit të furnizimit.

Për importuesit përcaktohet më qartë edhe kursi i këmbimit që përdoret për vlerën doganore dhe llogaritjen e detyrimeve. Kursi do të jetë ai i publikuar nga Banka e Shqipërisë të mërkurën e parafundit të çdo muaji dhe do të zbatohet gjatë muajit pasardhës.

Paketa përmban në total 83 nene dhe synon përafrimin e Kodit Doganor shqiptar me Kodin Doganor të Bashkimit Europian, digjitalizimin e procedurave dhe përgatitjen për Konventën e Transitit të Përbashkët. Ligji parashikohet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare./Monitor