Ashtu siç e kishin paralajmëruar, shoqatat e Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të shpallur antikushtetues ligjin e ri të pagave të miratuar nga parlamenti më datë 18 shtator.
Në kërkesën e depozituar këtë të hënë, shoqatat kërkojnë gjithashtu pezullimin e zbatimit të ligjit deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.
Ndërkohë kjo lëvizje e tyre vjen pasi kryeministri Edi Rama i ftoi institucionet e drejtësisë në një tryezë diskutimi më datë 28 shtator.
Ftesa u është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, gjykatave, prokurorive të vendit dhe shoqatave të magjistratëve, ndërsa sipas kryeministrit Rama në tryezë do të jenë edhe përfaqësues të Këshillit të Europës.
Kujtojmë se ligji i miratuar në Kuvend pak ditë më parë parashikon rritje të pagës referuese për magjistratët me rreth 8,500 lekë, ndërkohë që kërkesa e tyre, e miratuar edhe nga KLGJ dhe KLP, është rreth nëntë herë më e lartë, afro 80 mijë lekë.