Shqiptari nuk pranon ndarjen, dhunon dhe kërcënon ish-gruan, e përplas me makinë teksa kthehej nga puna

Një 41 vjeçar shqiptar është shpallur nga policia greke pasi akuzohet se ka dhunuar dhe ka kërcënuar se do të vrasë ish-bashkëshorten e tij, me të cilën ka 4 fëmijë.

Ai e ka sulmuar atë për herë të dytë duke e përplasur me makinë në Nea Malgara të Selanikut, teksa ish-gruaja po kthehej nga puna me motor. Çifti ishte ndarë prej një viti e gjysmë por shqiptari vijonte ta kërcënonte atë, madje me armë edhe në sy të fëmijëve të tyre.

35-vjeçarja ka treguar për mediat greke momentet e tmerrit. Ajo është shprehur se po kthehej në shtëpi me motorin e saj, kur papritmas pa një makinë që po vinte drejt saj. Pasi e ka goditur me grusht dhe e ka hedhur në asfalt, 41-vjeçari shqiptar ka nisur ta shajë ndërsa ajo ka bërë sikur i ka rënë të fikët.

“Më pas, ai e goditi në shpinë, e tërhoqi për flokë dhe menjëherë më pas e kapi nga qafa. Në gjendje shoku, gruaja tentoi ta largonte dhe t’i hiqte gishtat nga qafa, ndërsa për fat në vendngjarje ndodhej një shoqe e saj, e cila e ndihmoi të shpëtonte nga duart e 41-vjeçarit. Nga gjendja e saj e rënduar, gruaja është kthyer në shtëpi në këmbë dhe ka braktisur motoçikletën e saj në vendngjarje, ndërsa ish-bashkëshorti është zhdukur që prej asaj nate”, shkruajnë mediat greke.

41 vjeçari tashmë është në kërkim nga autoritetet greke dhe po vijon puna për kapjen e tij.