Është thelluar skandali në lidhje me produktet shqiptare, të cilat kanë dalë me pesticide. Pas domateve dhe pjeshkëve të bllokuara në Kroaci, raportohet se një sasi me speca të kuq të eksportuara nga vendi ynë drejt Sllovenisë kanë rezultuar me nivel të lartë pesticidesh dhe për rrjedhojë janë bllokuar nga autoritetet atje.
Ka qenë kompania Geaproduket që ka dhënë urdhrin për bllokimin e sasisë me speca pasi në to janë gjetur pesticide si acetamiprid, formetanate dhe flonicamid.
Sipas mediave të huaja, kompania sllovene iu ka kërkuar të gjithë qytetarëve të mos e konsumojnë produktin, për shkak të pesticideve të tepërta, por ta kthejnë në vendin e blerjes ose ta hedhin. Ndërsa, personat që kanë qenë në kontakt me ushqimin e kontaminuar, duhet të dezinfektojnë duart, njoftuan autoritetet në Slloveni.
Por vetëm pak ditë më parë, ishte Kroacia, e cila bllokoi një sasi prej 5.5 ton me pjeshkë që ishin nisur nga Shqipëria, për shkak të pranisë së nikelit mbi normat e lejuara.
Ndërsa vetëm pak javë më parë, po në Kroaci u bllokua një sasi me domate shqiptare që rezultuan me pesticide.
Pra kemi të bëjmë me tre raste brenda pak ditësh që produktet shqiptare të bllokohen në tregjet e rajonit, duke ngritur alarmin për sigurinë ushqimore.
Nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ka ende asnjë reagim lidhur me rastin e fundit.
Ndërkohë duhet thënë se nga fillimi i këtij viti, siguria ushqimore në Shqipëri është përballur me një seri skandalesh që kanë ngritur shqetësime të mëdha për shëndetin e konsumatorëve ndërsa përgjegjësia kryesore qëndron tek mungesa e kontrollit. E teksa skandali thellohet, ata që e vuajnë janë qytetarët shqiptarë, të cilët nuk dinë se çfarë po konsumojnë.