Shqiptarët më të shqetësuarit për kostot e jetesës në Rajon në 2026

Shqipëria ka përqindjen më të lartë në Ballkanin Perëndimor të të anketuarve që shprehen të shqetësuar për koston e jetesës dhe inflacionin.

Sipas anketës SecuriMeter 2026 të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, 96,6% e të anketuarve në Shqipëri shprehën shqetësim, kundrejt 83,4% mesatarisht në gjashtë vendet e rajonit. Diferenca është 13,2 pikë përqindjeje.

Maqedonia e Veriut është vendi i vetëm që i afrohet Shqipërisë, me 93,8% të të anketuarve që shprehin shqetësim. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, përqindja zbret në 82%, në Mal të Zi në 78,3% dhe në Serbi në 76,3%. Kosova ka përqindjen më të ulët në rajon, me 73,7%, rreth 23 pikë përqindjeje më pak se Shqipëria.

Shqipëria kryeson edhe për intensitetin e shqetësimit. Në një shkallë nga 1 në 10, të anketuarit e vlerësuan shqetësimin për koston e jetesës dhe inflacionin me mesatarisht 9 pikë, kundrejt 8 pikëve në rajon. Për të llogaritur përqindjen e të shqetësuarve, anketa përfshiu përgjigjet nga 6 deri në 10 pikë.

Në vitin 2025, kur anketa pyeste veçmas për koston e jetesës dhe inflacionin, Shqipëria ishte mbi mesataren rajonale për të dy treguesit. Shqetësimi për koston e lartë të jetesës mori mesatarisht 8,79 pikë në Shqipëri, kundrejt 8,19 pikëve në rajon. Për inflacionin, vlerësimi ishte 8,45 pikë, kundrejt 8,12 pikëve në rajon. Bashkimi i dy çështjeve në një pyetje të vetme në vitin 2026 kufizon krahasimin e drejtpërdrejtë të pikëve.

Edhe në vitin 2024, kostoja e jetesës dhe inflacioni ishin problemi ekonomik më i përmendur në Shqipëri. Atëherë, 73% i përfshinë ndër tri problemet kryesore ekonomike të vendit, kundrejt 77% në rajon. Pyetja e atij viti u kërkonte të anketuarve të zgjidhnin tri probleme, ndërsa në vitin 2026 ata vlerësuan nivelin e shqetësimit për secilën çështje.

Përballimi i shpenzimeve të përditshme ndryshon ndjeshëm sipas zërit të buxhetit. Në Shqipëri, 50,6% e të anketuarve thonë se mund ta mbajnë banesën mjaftueshëm të ngrohtë në dimër dhe të freskët në verë. Kjo është përqindja më e ulët në rajon, ku mesatarja arrin në 62,4%. Vetëm 3,6% shprehen kryesisht ose plotësisht të kënaqur me mundësinë për të gjetur një banesë ose qira të përballueshme, kundrejt 24,7% në rajon. Monitor