Hapja e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë tregon edhe një herë tjetër se Shqipëria vlerësohet nga aleatët për përkushtimin dhe besnikërinë e treguar ndaj Aleancës Atlanetike, duke forcuar edhe më shumë pozitat në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Nga sot, Shqipëria do të ketë një bazë ajrore taktike dhe operacionale, në të cilën do të qëndrojnë dronë, helikopterë dhe avionë luftarakë, të gatshëm për të ndërhyrë sa herë që NATO merr vendimin.
Por anëtarësimi i Shqipërisë në NATO nuk ka qenë i lehtë. Nga viti 1991 kur në Shqipëri hyri demokracia dhe deri në 1 prill 2009, që shënoi një moment historik për vendin tonë, me anëtarësimin në Aleancën Atlantike, procesi ka kaluar në disa zhvillime.
Historiku i marrëdhënieve NATO-Shqipëri
Qershori i vitit 1992 do të sillte edhe përpjekjen e parë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Vendi ynë me një demokraci të brishtë do të aplikonte dhe anëtarësohej në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut (NACC).
Dhjetor 1992, shënohet vizita e parë zyrtare nga Presidenti i Shqipërisë, Z. Sali Berisha, në selinë e NATO-s ku takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës Z. Manfred Verner.
19 Mars 1993, për herë të parë, viziton Shqipërinë Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Manfred Verner.
Maj 1993, Shqipëria pranohet anëtare e Asamblesë së Atlantikut të Veriut.
23 Shkurt 1994, Presidenti Dr. Sali Berisha nënshkroi Dokumentin Kuadër të PfP duke e bërë Shqipërinë zyrtarisht anëtare të kësaj iniciative (PfP).
20 Prill 1994, Parlamenti shqiptar ratifikoi dokumentin themelor të PfP.
3 Qershor 1994, u krijua Shoqata e Atlantikut të Veriut në Shqipëri në të cilën morën pjesë rreth 80 intelektualë të fushave të ndryshme.
22 Shtator 1994, Shqipëria paraqiti në NATO dokumentin e prezantimit të Shqipërisë në PfP, ku deklaroi kapacitetet dhe kuadrin e bashkëpunimit si vend partner.
Nëntor 1999, Shqipëria paraqiti për herë të parë Planin e Veprimit për Anëtarësim (MAP).
Gusht 2002, Shqipëria dërgon misionin e parë në Afganistan, misioni ISAF, 23 veta nga regjimenti komando.
2003, Shqipëria dërgon misionin e vet të parë në Irak, një kompani komando.
Maj 2003, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia së bashku me SHBA nënshkruajnë “Kartën e Adriatik 3 – SHBA” (u konsiderua si një nismë që do të përgatiste hyrjen e të tre vendeve në NATO, sipas shembullit të “Grupit të Vilnusit”)
Gjatë viteve 2004 – 2008, Shqipëria ka vazhduar procesin e konsultimeve me NATO gjatë takimeve të përvitshme që janë zhvilluar në kuadër të MAP, PARP dhe Ministerialit të NATO/EACP etj. Shqipëria ishte e angazhuar në përmbushjen e 43 objektivave të partneritetit, që përcaktonin masat për të aftësuar më tepër Forcat tona të Armatosura për të operuar së bashku me forcat e Aleancës.
Në 1 Prill të vitit 2009 do të vinte edhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, në një ditë historike për vendin tonë. Shqipëria mori pjesë për herë të parë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill të vitit 2009, ndërkohë që më 7 prill në selinë e Aleancës në Bruksel u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
Gjatë gjithë këtyre viteve Shqipëria ka mbështetur çdo nismë të ndërmarrë nga NATO dhe është bërë pjesë e pandarë dhe e rëndësishme e Aleancës, duke mundësuar edhe hapjen e bazës së parë ajrore të NATOS në Ballkanin Perëndimor.
Aktualisht, ushtarakët shqiptarë janë pjesë e mijëra trupave të vendeve të NATO-s, të cilët shërbejnë në operacionet dhe misionet e Aleancës në vendet baltike, Poloni, Rumani, Bullgari dhe në Kosovë.
Baza ajrore e Kuçovës është ndërtuar në vitet 1950, por doli jashtë përdorimit në vitet ’90. Tashmë e rikonstruktuar me një fond prej më shumë se 55 milionë eurosh, ku 50 milionë janë financuar nga NATO, ajo do të shërbejë për operacionet e Aleancës në të gjithë Europën dhe jo vetëm.
Por kjo duket se nuk do të jetë baza e vetme e NATO-s në vendin tonë, pasi qeveria ka kërkuar që të procedohet sa më shpejt në lidhje me aplikimin e Shqipërisë për ta bashkëfinancuar me NATO-n rikonstruksionin e bazës së re detare në Porto Romano.