Prokuroria e Posaçme ka kërkuar riinspektim në lidhje me shpërthimin në magazinën në Lushnje, në pronësi të deputetit të PS Bujar Çela.
Nga shpërthimi humbën jetën babë e bir, ndërsa u plagosën 7 të tjerë, mes tyre deputeti Çela. Riekspertimi, do të bëhet për të parë nëse ka patur shkelje të rregullave të sigurisë në punë.
Rikujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi më 1 mars teksa një vinç, ku ndodheshin dy viktimat Roland dhe Elidon Hoxha, baba e bir, po ngrinte një bombol oksigjeni që do të përdorej në lartësi për të kryer saldime, maja e mjetit të hekurt ka hasur në telin përcjellës të tensionit të lartë e për pasojë bombola ka shpërthyer.
Roland Hoxha vdiq në vendngjarje ndërsa djali i tij rrugës teksa po transportohej drejt spitalit të Traumës.
Ndërkohë deputeti po hetohet nga prokuroria për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Ndërtimi i paligjshëm”, dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.